Policia e Tiranës vu në pranga ditën e sotme shtetasin Indrit Aliu (Kolleshi) 39-vjeç nga Vlora, pasi ky shtetas nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, nga biznesmenë të ndryshëm , duke pretenduar se ka njohje brenda Ministrisë së Infrastrukturës dhe mund t’i ndihmonte me tendera kryesisht në aktivitetin e minierave dhe të ndërtimit.
Ai pretendon se në kundrejt shumave të parave, mund t’i jepte atyre tenderat që ata kërkonin.
39-vjeçari u arrestua, pasi ka qenë një biznesmen që ka bërë kallëzim në polici, pasi kishte kuptuar se ishte mashtruar.
Në 2011, Indrit Aliu është dënuar me 10 vite burg po për mashtrim, në atë kohë mashtronte ndërtues.
Ai së fundmi për joshur viktimat e tij, kishte hapur edhe një zyrë të tijën.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “The eye”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Përvetësoi shuma të konsiderueshme parash, nëpërmjet mashtrimit, duke u premtuar tendera, biznesmenëve të ndryshëm, vihet në pranga një 39-vjeçar.
Sekuestrohen 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme, të cilat i arrestuari i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The eye”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit Indrit Aliu (Kolleshi)., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, nga biznesmenë të ndryshëm, duke u prezantuar si zyrtar i lartë në institucione, dhe në këmbim të shumave monetare, iu ka premtuar atyre tendera të ndryshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme të cilat autori i dyshuar i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.















