Një episod i dokumentuar në dosjen e SPAK, të administruar nga BKH dhe i shqyrtuar nga Skyweb.al, hedh dritë mbi mënyrën se si Ergys Agasi ka vepruar për të ushtruar ndikim në vendimmarrjen shtetërore, duke përdorur persona të besuar dhe duke ndërhyrë në procese strategjike, nga tenderët publikë deri te projektet e mëdha ndërtimore.
Në një komunikim të datës 06.03.2019, të sekuestruar dhe analizuar nga SPAK për të ilustruar “modus operandi”-n e tij, Ergys Agasi flet për një situatë ku, sipas dosjes, ish-ministri Damian Gjiknuri “ishte bërë pengesë” për realizimin e përfitimeve të paligjshme. Nga përmbajtja e komunikimit, SPAK identifikon personin me nofkën “labi” si Elgert Bixha, të cilin Agasi synonte ta emëronte administrator në një shoqëri private që kishte fituar një koncesion nga ministria e drejtuar në atë kohë nga Gjiknuri.
Në mesazhin e datës 06.03.2019, ora 21:54:43, Ergys Agasi shprehet: “Do ja ** robt do fusim çunat….”, frazë që, sipas SPAK, nënkupton përdorimin e forcës dhe lidhjeve me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore për të “hequr” pengesat administrative. Gjiknuri, sipas dosjes, nuk e ka realizuar këtë emërim.
Sipas të dhënave të konstatuara nga BKH pas kontrolleve të kryera me kërkesë të prokurorit special Bledar Maksuti, Ergys Agasi del si figurë qendrore që ka lëvizur fijet në vendimmarrjen e drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar, me fokus të veçantë AKSHI-n dhe tenderët e saj me vlera të mëdha.
Dosja tregon se Agasi nuk ka vepruar i vetëm, por përmes personave të “deleguar” sipas sektorëve.
Në fushën e teknologjisë së informacionit, sipas hetimeve, del emri i Ermal Beqiri, ndërsa kompanitë e lidhura me të, “Soft & Solution” dhe “Horizon”, dyshohet se janë në qendër të skandalit të AKSHI-t. SPAK konstaton se e njëjta logjikë ndikimi dhe ndërmjetësimi dyshohet të jetë përdorur edhe në sektorin e ndërtimit.

Në këtë kontekst, më herët është raportuar se BKH ka kryer kontrolle edhe në ambientet e disa biznesmenëve të tjerë, përfshirë Elgert Bixhën. Në atë kohë, roli i tij nuk ishte i qartë. Vetëm pas publikimit të të dhënave nga QKB nga Skyweb.al, Bixha u lidh në raporte biznesi me vëllezërit Ismailaj, pronarë të kompanisë “Alb Star”, si edhe me ndërtuesin Ores Sota, përmes kompanisë “Fortis Inert”.

Dosja e SPAK e vendos Elgert Bixhën si një nga “njerëzit” e Ergys Agasit që në vitin 2019, në momentin kur Agasi ka kërkuar me ngulm që ish-ministri Damian Gjiknuri ta emëronte administrator në një koncesion të dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Refuzimi i këtij emërimi, sipas hetuesve, shpjegon edhe reagimin e Agasit dhe deklaratën për përdorimin e forcës.
Duke analizuar këtë “modus operandi”, SPAK ngre dyshime se lidhjet e biznesit mes Elgert Bixhës dhe Idajet Ismailajtrikthejnë vëmendjen te kompania “Alb Star” dhe kontaktet e saj, si edhe te pyetja nëse Bixha ka qenë realisht “njeriu” i Agasit në një projekt që po ndryshon rrënjësisht një nga zonat më të ndjeshme të jugut të vendit: Gjirin e Manastirit.
Kompania “Alb Star” e Idajet Ismailajt është ndërtuesja e Manastiri Resort, projekt që ka përfituar trajtim prioritar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Vetëm një vit më parë, me një vendim të këtij këshilli, sipërfaqja ndërtimore e kompleksit është rritur ndjeshëm.
Sipas vendimit, sipërfaqja e ndërtimit të Manastiri Resort është rritur në 45.3 mijë metra katrorë, nga 27.3 mijë metra katrorë që ishte në lejen origjinale. Vendimi është marrë në korrik të këtij viti dhe parashikon shtim të ndërtimit si mbi tokë, ashtu edhe nën tokë. Koeficienti i shfrytëzimit të truallit është rritur nga 20 për qind në 32 për qind, ndërsa intensiteti i ndërtimit nga 0.4 në 0.6.
Manastiri Resort është një projekt që ka shkaktuar polemika të forta publike. Për t’i hapur rrugë ndërtimit, qeveria ka zvogëluar sipërfaqen e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit me 800 hektarë, përmes një vendimi që ka shkaktuar debate të ashpra. Projekti ka marrë statusin e investimit strategjik në fund të vitit 2021, me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e ka cilësuar zonën e shkëputur nga Parku i Butrintit si një “pikëz të vogël”, ndërsa sot Plazhi i Manastirit, ajo që u quajt “pika e vogël”, është shndërruar në një masiv vilash betoni, duke bllokuar aksesin publik në një nga gjiret më të bukura të Rivierës Shqiptare.
Në fillim të këtij viti, një raport i UNESCO-ICOMOS, i publikuar nga Citizens Channel, shprehu “shqetësim të thellë” për rrudhjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Raporti thekson se zona tampon e Trashëgimisë Botërore tani përfshin një resort të madh turistik dhe kritikon vendimin për reduktimin e sipërfaqes së mbrojtur, duke e cilësuar si mungesë ndërgjegjësimi për funksionin mbrojtës të zonës buferike.
Sipas SPAK, lidhja mes personazheve, komunikimet e dokumentuara dhe ndërhyrjet e konstatuara tregojnë një model veprimi të përsëritur, ku ndikimi, presioni dhe ndërmjetësimi shtrihen nga tenderët e teknologjisë së informacionit te projektet strategjike të ndërtimit. /skyweb.al















