Individët me paga të ulëta nuk përfitojnë kompensim nga Deklarata Individuale e të Ardhurave Vjetore (DIVA), pasi nuk rezultojnë me tatim të paguar.
Kontabilistët dhe administrata tatimore sqarojnë se punonjësit me pagë rreth 50 mijë lekë në muaj, ose 600 mijë lekë në vit, nuk kanë detyrim tatimor dhe për rrjedhojë nuk mund të marrin rimbursim për shpenzimet e fëmijëve.
Sipas shpjegimeve të kontabilistit Armand Mala për Monitor, sistemi nuk llogarit kompensim për këtë kategori, pasi baza tatimore është zero. Në deklarim, të ardhurat bruto dhe zbritjet ligjore janë në të njëjtën vlerë, çka bën që tatimi i llogaritur dhe ai i paguar të rezultojë zero. Në këto kushte, edhe nëse deklarohen shpenzime për fëmijë apo arsim, ato nuk pranohen, sepse kompensimi aplikohet vetëm mbi tatimin e paguar.
Nga ana tjetër, kompensimi përmes DIVA përfitohet vetëm kur pas rillogaritjes vjetore rezulton tatim i mbipaguar.
Sistemi llogarit automatikisht zbritjet për fëmijët në ngarkim, deri në 48 mijë lekë për secilin, si dhe shpenzimet për arsim deri në 100 mijë lekë për familjet me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit. Nëse pas këtyre zbritjeve rezulton mbipagesë, shuma kalon në llogarinë bankare të deklaruesit.
Shembujt tregojnë se kompensimi ndryshon sipas nivelit të të ardhurave.
Për individët me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë në vit dhe një fëmijë, rimbursimi është rreth 62 euro në vit, ndërsa për të ardhura më të larta dhe më shumë fëmijë mund të arrijë disa mijëra lekë. Për pagat mbi 200 mijë lekë në muaj, kompensimi për fëmijë është mbi 11 mijë lekë secili.
Administrata tatimore thekson se rimbursimi nuk lidhet vetëm me familjet me fëmijë. Edhe individët pa fëmijë mund të përfitojnë nëse nga rillogaritja vjetore rezultojnë me tatim të mbipaguar.
Kjo ndodh sepse për herë të parë tatimi mbi të ardhurat nga punësimi po rillogaritet mbi bazë vjetore dhe jo mujore, duke krijuar diferenca për një pjesë të tatimpaguesve.
Procesi i aplikimit kërkon plotësimin e të dhënave bankare në sistemin elektronik dhe paraqitjen e një kërkese për rimbursim, së bashku me dokumentet justifikuese, si faturat e fiskalizuara për shpenzimet arsimore dhe certifikatën familjare.
Deri tani, deklarata është plotësuar nga rreth 30 mijë individë, ndërsa administrata pret që numri të arrijë në rreth 200 mijë deri në afatin e fundit të dorëzimit.
Në thelb, rregulli mbetet i thjeshtë: kompensimi përfitohet vetëm nga ata që kanë paguar tatim dhe rezultojnë me mbipagesë, ndërsa pagat më të ulëta, të cilat përjashtohen nga tatimi, mbeten jashtë skemës së rimbursimit. /skyweb.al















