Çmimi i naftës u rrit mbi 100 dollarë për fuçi të enjten, pasi sulmet e Iranit ndaj transportit dhe infrastrukturës energjetike shkaktuan tronditje në tregjet globale dhe ndikuan negativisht në bursat ndërkombëtare, raporton Financial Times.
Nafta Brent u rrit me 9.4%, duke arritur në 100.58 dollarë për fuçi. Kjo rritje ushtroi presion mbi tregjet e aksioneve në mbarë botën: kontratat futures për S&P 500 ranë me 1%, ndërsa ato për Stoxx Europe 600 u ulën me 0.7%.
Edhe tregjet aziatike pësuan rënie. Indeksi japonez Topix humbi 1.6% të vlerës së tij.
Ndërkohë, dollari amerikan u forcua me 0.3% kundrejt valutave të partnerëve kryesorë tregtarë. Çmimi i arit ra me 0.5%, duke arritur në 5,150 dollarë për ons troje.
Yield-et e bonove 10-vjeçare të Thesarit të SHBA-së u rritën me 0.03 pikë përqindje, duke arritur në 4.24%. Në përgjithësi, yield-et e bonove lëvizin në drejtim të kundërt me çmimin e tyre: kur çmimi i bonove bie, yield-i rritet dhe anasjelltas.
Në Evropë, çmimet e gazit natyror u rritën në të njëjtën linjë me naftën, duke shënuar një rritje deri në 7.7% dhe duke arritur në 53.83 euro për megavat-orë. Kjo ndodhi pasi infrastruktura energjetike në Lindjen e Mesme u godit sërish gjatë natës.
Raportohet se tre anije janë sulmuar në Gjirin Persik, ndërsa rezervuarë karburanti në Bahrein u përfshinë nga flakët herët në mëngjesin e së enjtes.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Bahreinit, zjarri në rezervuarët e karburantit në rajonin Muharraq erdhi si pasojë e “agresionit iranian”. Pamjet video të publikuara nga ministria tregojnë rezervuarët në flakë, ndërsa ekipet e zjarrfikësve përpiqen të vënë situatën nën kontroll.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të disa qyteteve dhe fshatrave përreth që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbajnë dritaret e mbyllura.
Një zëdhënës i qeverisë bëri të ditur se sulmi ndodhi mes orës 03:00 dhe 04:00 të mëngjesit sipas orës lokale. /skyweb.al















