Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar performancën e aeroportit të Tiranës, duke deklaruar se Shqipëria ka kaluar nga vendi me aeroportin më të shtrenjtë në Europë në vendin me aeroportin më të gjallëruar në rajon.
Në një deklaratë për mediat, Rama tha se sot Tirana ka marrë rolin kryesor në aviacionin e Ballkanit, duke lënë pas qytete të tjera të rajonit.
“Shqipëria kishte aeroportin më të shtrenjtë në Europë, sot ka aeroportin më të gjallëruar të Ballkanit. Sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit, është Tirana dhe kjo është arritje e kësaj qeverie”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se zhvillimi i aeroportit të Tiranës është rezultat i ndryshimit të qasjes së qeverisë ndaj tregut të transportit ajror dhe rritjes së konkurrencës.
Rama nuk kurseu as ironinë ndaj kritikëve të qeverisë, duke thënë se sa më shumë që ata e parashikojnë dështimin e saj, aq më shumë, sipas tij, rezultatet tregojnë të kundërtën.
“Me gjithë keqardhjen për të gjithë ata që na duan të vdekur, por sa më shumë të vdekur na duan, aq më shumë gjallërohemi”, deklaroi ai.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se qeveria synon të ndërhyjë edhe në tregun e karburanteve përmes krijimit të një faktori publik, që do të ndihmojë në stabilizimin e çmimeve dhe marrëdhënieve me kompanitë shpërndarëse.
Sipas Ramës, përmes kapaciteteve dhe garancisë së shtetit do të bëhet më e lehtë arritja e marrëveshjeve afatgjata me kompanitë e naftës, me synimin për të garantuar më shumë qëndrueshmëri në treg. /skyweb.al
















