Gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar pas vendimit të fundit të Bordit të Transparencës për rritjen e çmimeve të karburanteve, duke vënë në pikëpyetje rolin dhe efektivitetin e këtij mekanizmi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai thekson se çmimi i naftës para krijimit të Bordit ishte më i ulët, ndërsa pas ndërhyrjes së tij ka shënuar rritje. “Para Bordit…, nafta ishte 214 lekë për litër. Me bordin është … 218 lekë. Pyetje: bordi u ngrit për të ulur apo për të rritur çmimin?”, shkruan Dervishi.
Reagimi vjen pasi Bordi i Transparencës vendosi rritjen e çmimit të naftës me 15 lekë për litër, nga 203 lekë në 218 lekë për litër. Edhe benzina ka pësuar rritje, duke kaluar nga 175 lekë në 181 lekë për litër.
Bordi i Transparencës u krijua nga qeveria në një periudhë krize në tregun e hidrokarbureve, me synimin për të vendosur një çmim tavan dhe për të shmangur abuzimet. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë rihapur debatin mbi funksionin real të tij dhe nëse po përmbush qëllimin për të mbrojtur konsumatorët. /skyweb.al
















