Donald Trump u ka paraqitur dy alternativa vendeve aleate që nuk pranojnë të ndihmojnë SHBA-në dhe Izraelin për të mbajtur të hapur Ngushtica e Hormuzit dhe për të stabilizuar çmimet e naftës.
“Së pari, blini naftë nga SHBA-të, ne kemi me bollëk. Së dyti, tregoni guxim: shkoni vetë në ngushticë dhe merreni nën kontroll. Duhet të mësoni të luftoni për veten tuaj, sepse SHBA-ja nuk do të jetë gjithmonë aty për ju, ashtu siç ju nuk ishit për ne,” deklaroi ai.
Këto komente ndikuan menjëherë në tregjet globale, duke shkaktuar rritje të çmimit të naftës së papërpunuar, e cila iu afrua niveleve rekord në bursën e Londrës, rreth 118 dollarë për fuçi.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, theksoi se zhvillimet e ditëve në vijim do të jenë vendimtare për ecurinë e konfliktit. “Nëse Irani tregohet i mençur, do të pranojë marrëveshjen që do t’i propozojmë; përndryshe, sulmet do të intensifikohen,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane paralajmëroi përmes një deklarate në Telegram se do të zgjerojë objektivat e saj, duke përfshirë zyrat e 18 kompanive amerikane të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në rajon, si Microsoft, Google dhe Nvidia.
Pas miratimit nga parlamenti iranian të një tarife për anijet naftëmbajtëse që kalojnë nëpër ngushticë, forcat iraniane goditën dhe i vunë flakën një cisternë kuvajtjane me rreth 2 milionë fuçi naftë pranë Dubai.
Ndërkohë, përveç operacioneve kundër Iranit, ushtria izraelite ka intensifikuar bombardimet ndaj Hezbollah në Liban, ku numri i viktimave ka kaluar 1,200. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Katz, deklaroi se jugu i Libanit do të shndërrohet në një zonë sigurie, ku forcat izraelite do të qëndrojnë edhe pas përfundimit të konfliktit.
















