Shkurtimet do të prekin kryesisht linjat me përfitim të ulët, ndërsa fokusi do të zhvendoset drejt tregjeve me kërkesë më të lartë dhe kosto më të ulëta operimi.
Në praktikë, kjo do të thotë më pak fluturime për një sërë destinacionesh europiane, pikërisht në prag të sezonit veror.
Situata lidhet drejtpërdrejt me krizën energjetike të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe bllokimi i Ngushtica e Hormuzit, një nyje kyçe për furnizimin global me naftë.
Kjo ka goditur jo vetëm furnizimin, por edhe kapacitetet e rafinimit për karburantin e avionëve, duke rritur ndjeshëm çmimet dhe duke kufizuar disponueshmërinë.
Drejtuesi ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, paralajmëroi se industria po përballet me një “skenar të panjohur”.
Sipas tij, nëse situata vazhdon edhe për disa muaj, deri në 5% deri në 10% e fluturimeve të planifikuara për muajt maj, qershor dhe korrik mund të anulohen.
Lista e shkurtimeve është e gjerë. Në Spanjë janë ndërprerë fluturimet drejt disa destinacioneve dhe është mbyllur një bazë operative, ndërsa në Gjermani pritet anulimi i dhjetëra linjave nga aeroporte kryesore si Berlini dhe Hamburgu.
Edhe në Francë, Belgjikë dhe Portugali janë pezulluar një numër i konsiderueshëm fluturimesh, përfshirë lidhjet me disa qytete dhe rajone turistike.
Pasojat nuk do të kufizohen vetëm te udhëtarët. Kriza e karburantit po rrit kostot në të gjithë zinxhirin e transportit ajror, duke ushtruar presion mbi çmimet e biletave dhe duke krijuar rrezik për ndërprerje më të gjera në muajt në vijim.
Për pasagjerët, anulimi i fluturimeve nënkupton të drejtën për rimbursim ose riplanifikim të udhëtimit. Në rastet kur anulimi ndodh pranë datës së nisjes, kompanitë janë të detyruara të ofrojnë asistencë, përfshirë ushqim dhe akomodim. Megjithatë, nëse situata konsiderohet si rrethanë e jashtëzakonshme, kompensimet financiare shtesë mund të mos aplikohen.
Në prag të verës, zhvillimet tregojnë se industria ajrore po hyn në një periudhë të paqëndrueshme, ku mungesa e karburantit po kalon nga një rrezik teorik në një problem real që po reflektohet drejtpërdrejt në hartën e fluturimeve në Europë.
Nga kjo valë shkurtimesh nuk preket Shqipëria. /skyweb.al














