Power bank-at dhe bateritë me litium po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një nga rreziqet kryesore të sigurisë në fluturime, pas shtimit të incidenteve të lidhura me mbinxehjen dhe zjarrin në bord.
Sipas të dhënave të publikuara nga Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA), vetëm gjatë vitit 2025 janë raportuar 93 incidente të lidhura me bateritë me litium në avionë. Rastet që përfshijnë power bank-at janë rritur me 42%, ndërsa mesatarisht regjistrohen rreth dy episode në javë.
Ekspertët paralajmërojnë për fenomenin e njohur si “thermal runaway”, një reaksion kimik i pakontrolluar që mund të shkaktojë mbinxehje ekstreme, çlirim gazrash të ndezshëm dhe zjarr. Sipas materialit informues, një power bank me kapacitet 10.000 mAh mund të prodhojë deri në 20 litra gaz të ndezshëm në rast defekti të rëndë të baterisë.
Për këtë arsye, autoritetet ndërkombëtare të aviacionit kanë vendosur kufizime të rrepta për transportin e tyre. Power bank-at duhet të mbahen vetëm në bagazhin e dorës dhe jo në bagazhin e regjistruar, ndërsa kapacitetet shumë të larta mund të ndalohen plotësisht.
Materiali informues thekson gjithashtu se shumë pasagjerë nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet që lidhen me këto pajisje, pavarësisht se ato përdoren gjerësisht gjatë udhëtimeve ajrore.
Autoritetet e aviacionit rekomandojnë përdorimin e power bank-ëve të certifikuar, shmangien e pajisjeve të dëmtuara dhe moskarikimin e tyre gjatë fluturimit nëse shfaqin shenja mbinxehjeje ose deformimi.
















