Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për përshpejtimin e negociatave për uljen e tarifave të roaming-ut mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Von der Leyen e cilësoi uljen e tarifave të roaming-ut si një mundësi për afrimin e qytetarëve shqiptarë me ata të vendeve të Bashkimit Evropian.
“Çështja e dytë për të cilën ne po punojmë është ulja e tarifave të roaming-ut. Sepse unë besoj se kjo është një mundësi shumë e mirë që njerëzit të afrohen me njëri-tjetrin dhe këto negociata duhet t’i përshpejtojmë”, u shpreh ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian tha gjithashtu se do të rikthehet në Shqipëri në ditën kur roaming-u pa pagesë të bëhet realitet.
“Unë ju premtoj se, në rast se ju negocioni me ne dhe me kompanitë në mënyrë të suksesshme, unë do të kthehem pikërisht atë ditë kur ne do të fillojmë roaming-un falas këtu në Shqipëri”, deklaroi Von der Leyen.















