Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për transformimin e Sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë. Projekti parashikon ndërtimin e një muzeu arkeologjik nëntokësor, një parkim nëntokësor dhe rehabilitimin e plotë të sheshit.
Autoriteti kontraktor i ngarkuar për zbatimin e projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të kryejë procedurat e prokurimit publik, projektimin, mbikëqyrjen dhe ndërtimin. Në këtë proces mund të përfshihen edhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit si dhe Bashkia e Tiranës, përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit.
Vendimi i plotë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, për realizimin e projektit “Ndërtimi i muzeut arkeologjik nëntokësor, parkimi nëntokësor dhe rehabilitimi i sheshit “Nënë Tereza””.
2. Në funksion të zbatimit të projektit, të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë:
a) të gjitha procedurat, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratat përkatëse për projektimin, zbatimin e mbikëqyrjen e projektit, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre e të projektit përkatës;
b) paraqitjen e kërkesave për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit në emër të institucioneve publike përfituese pranë autoritetit kompetent të zhvillimit të territorit, si dhe ndjekjen e të gjitha veprimeve e të procedurave të nevojshme për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi për zhvillimin e territorit.
3. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkia Tiranë mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi, në funksion të zhvillimit të projektit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
4. Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
5. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare””, thuhet në VKM.















