Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për zëvendësimin e masës aktuale të sigurisë.
Raporti i shumicës u prezantua në Këshillin e Mandateve nga deputeti i PS dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili theksoi se deputetja Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive në qeveri dhe për këtë arsye nuk ekziston rreziku që ajo të ndikojë në hetim apo të prishë prova.
Sipas Manjës, argumenti i Prokurorisë për rrezikun e prishjes së provave mbështetet kryesisht në faktin që Balluku ka mbajtur më parë detyrën e ministres, por ky funksion tashmë nuk ekziston.
Ai shtoi se nëse do të kishte tentativë reale për prishje provash, kjo do të përbënte një vepër të re penale dhe do të shoqërohej me një akuzë të dytë.
Manja u ndal edhe tek pretendimi për rrezikun e arratisjes, duke theksuar se një rrezik i tillë duhet të jetë real dhe jo i bazuar në supozime.
Sipas tij, Balluku ka qenë në dijeni të hetimeve që prej gushtit të vitit të kaluar dhe megjithatë ka respektuar vazhdimisht detyrimet ligjore. Ai përmendi disa udhëtime jashtë vendit që deputetja ka kryer gjatë kësaj periudhe, në qytete si Bukureshti, Athina dhe Roma, duke u rikthyer gjithmonë në Shqipëri në respekt të masës së sigurimit.
Manja tha gjithashtu se deputetja ka dorëzuar dokumentet e identifikimit, përfshirë edhe kartën e re të identitetit që është lëshuar pasi ishte vendosur masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit.
Sipas tij, edhe pretendimi për rrezikun e përsëritjes së veprës penale nuk qëndron, pasi edhe ky duhet të jetë një rrezik konkret dhe jo hipotetik.
Në përfundim, Manja deklaroi se shumica parlamentare ka arritur në konkluzionin se nuk ka bazë për t’i dhënë autorizim Kuvendit për zëvendësimin e masës së sigurimit aktuale, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit, me një masë më të rëndë si arresti me burg apo arresti në shtëpi.
Sipas tij, kërkesa e SPAK për këtë rast nuk lidhet me vendosjen e një mase sigurimi për herë të parë, por me zëvendësimin e një mase ekzistuese, çka kërkon prova konkrete për rëndimin e rrethanave, gjë që sipas raportit të shumicës nuk rezulton të jetë provuar. /skyweb.al















