Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) publikoi raportin vjetor për vitin 2025, ku thekson se korrupsioni në nivele të larta dhe aktiviteti i grupeve kriminale të organizuara mbeten ndër sfidat kryesore për Shqipërinë. Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare vazhdojnë të jenë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të krimit, kryesisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Gjatë vitit 2025 janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, 43.49 milionë euro (96%) janë pasuri të sekuestruara, ndërsa 1.91 milionë euro (4%) janë pasuri të konfiskuara. Në këtë total përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutës Tether (USDT) me vlerë rreth 14.5 milionë dollarë.
Pjesa më e madhe e pasurive lidhet me çështje të krimit të organizuar, ku janë sekuestruar rreth 42.4 milionë euro dhe konfiskuar 1.8 milionë euro. Ndërsa për hetimet ndaj zyrtarëve të lartë janë sekuestruar rreth 1.1 milionë euro dhe konfiskuar rreth 100 mijë euro.
Në luftën kundër krimit të organizuar, numri i çështjeve të reja në vitin 2025 ka qenë më i ulët se në 2024, por çështjet e përfunduara janë rritur me 3.4% (nga 58 në 60). Po ashtu është rritur me 11.5% numri i personave nën hetim dhe me 36.6% ai i personave të dërguar në gjykatë.
Sa i përket korrupsionit, SPAK raporton një rritje me 17.7% të hetimeve të reja dhe 12.2% të çështjeve të përfunduara. Gjatë vitit 2025 janë dërguar në gjykatë 24 procedime me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë dhe 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim, mbi gjysma janë dërguar në gjykatë dhe 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Raporti evidenton gjithashtu disa sfida kryesore për institucionin, si rritja e kërcënimeve nga krimi i organizuar, paqartësitë ligjore për statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit, mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë dhe nevoja për bashkëpunim më të fortë me institucionet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, proceset e ekstradimit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten ende sfiduese.
SPAK thekson se do të vazhdojë forcimin e hetimeve për krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, në bashkëpunim me vendet e Bashkimit Europian dhe agjencitë e tij. /skyweb.al















