Përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA, Izraelit dhe Iranit ka shtyrë çmimet e naftës në nivele që nuk janë parë prej vitesh, duke rritur shqetësimet për ndikimin që kjo krizë mund të ketë në ekonominë globale dhe në rritjen e inflacionit.
Sipas një analize të publikuar nga The Guardian, çmimi i naftës ka kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi, ndërsa në fillim të javës arriti deri në 119 dollarë për fuçi. Ky është niveli më i lartë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Analistët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej nëse tensionet në Lindjen e Mesme zgjasin dhe nëse bllokada e Ngushticës së Hormuzit vazhdon. Në këtë skenar, çmimi i naftës mund të afrohet edhe me 150 dollarë për fuçi, duke kaluar rekordin historik të vitit 2008 prej 145.29 dollarësh.
Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më strategjike të tregtisë globale të energjisë. Përmes këtij korridori detar kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm që tregtohet në botë, si dhe një pjesë e madhe e plehrave kimike që përdoren në bujqësi.
Sipas vlerësimeve të Goldman Sachs, një bllokadë efektive e këtij korridori nga Irani mund të ketë një ndikim shumë më të madh në tregjet globale sesa goditja që pësoi furnizimi me naftë nga Rusia në vitin 2022.
Sa lart mund të shkojnë çmimet do të varet kryesisht nga kohëzgjatja e krizës dhe nga aftësia e vendeve eksportuese për të devijuar rrugët e transportit. Arabia Saudite ka nisur të drejtojë një pjesë të eksporteve drejt porteve të Detit të Kuq, por shumica e prodhuesve në Gjirin Persik vazhdojnë të mbeten të varur nga kalimi përmes Hormuzit.
Ndërkohë depot e naftës në rajon po mbushen me shpejtësi, duke rritur rrezikun që disa fusha të mëdha prodhimi të detyrohen të ndalojnë aktivitetin, çka mund ta zgjasë krizën energjetike.
Rritja e çmimeve të energjisë vjen në një moment delikat për ekonominë globale. Pas një periudhe të gjatë rritjeje të normave të interesit për të frenuar inflacionin, bankat qendrore po përpiqeshin të stabilizonin politikat monetare. Konflikti në Lindjen e Mesme mund t’i detyrojë ato të rikthejnë presionin mbi normat e huadhënies.
Energjia është një nga faktorët kryesorë që ndikon në çmimet e konsumit. Një rritje e fortë e naftës pritet të rrisë faturat e energjisë për familjet, kostot e transportit dhe çmimet për bizneset, duke u transmetuar në të gjithë zinxhirët globalë të furnizimit.
Megjithatë disa ekonomistë besojnë se ekonomia globale sot është më rezistente ndaj goditjeve energjetike sesa në dekadat e kaluara.
Jim Reid nga Deutsche Bank thekson se ekonomitë moderne janë më pak të varura nga energjia dhe tregjet e punës janë më fleksibël se në vitet 1970, kur krizat e naftës shkaktuan inflacion të lartë dhe recesion.
Megjithatë rreziku për një ngadalësim ekonomik mbetet real. Pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë, shumë familje dhe biznese janë tashmë nën presion financiar. Një rritje e re e çmimeve të energjisë mund të ulë konsumin dhe aktivitetin ekonomik, duke rritur rrezikun e stagflacionit.
Ian Stewart, ekonomist kryesor i Deloitte në Britani, paralajmëron se historikisht rritjet e forta të çmimeve të energjisë kanë qenë shpesh paralajmërim për recesione në ekonomitë perëndimore.
Në këtë situatë, vendet e G7 kanë deklaruar se janë gati të përdorin rezervat emergjente të naftës për të stabilizuar tregjet dhe për të shmangur mungesat e furnizimit.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rritur rezervat strategjike, ndërsa vendet europiane, të cilat janë më të varura nga importet e energjisë, pritet të ndihen më shumë nga goditja e çmimeve.
Kriza po shton gjithashtu presionin mbi qeveritë për të përshpejtuar investimet në energji të rinovueshme dhe për të forcuar sigurinë energjetike. Në të njëjtën kohë, shumë vende pritet të përballen me kërkesa për mbështetje financiare për familjet dhe bizneset që po goditen nga faturat e larta të energjisë.
Ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet e fundit mund të përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për furnizimin dhe logjistikën globale të energjisë në historinë moderne.















