Administrata Doganore dhe Administrata Tatimore kanë nisur kontrollet në sektorin e karburanteve në kuadër të një plani të përbashkët operacional për monitorimin e tregut të hidrokarbureve.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga Dogana Shqiptare, aksioni i parë është zhvilluar në qytetin e Elbasanit, ku janë kontrolluar dy subjekte që operojnë në tregun e karburanteve.
Gjatë verifikimeve, autoritetet bëjnë me dije se janë konstatuar shkelje të rënda të legjislacionit në fuqi. Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për natyrën e shkeljeve apo për masat që janë marrë ndaj subjekteve të kontrolluara.
Administrata Doganore dhe ajo Tatimore njoftojnë se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e vendit. Sipas institucioneve, qëllimi i këtij operacioni është lufta kundër informalitetit në sektorin e hidrokarbureve, monitorimi i çmimeve dhe garantimi i konkurrencës së ndershme në treg. /skyweb.al















