Ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë që përcakton modelin standard të kontratës që do të lidhet mes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe investitorëve strategjikë për përdorimin e hapësirave bregdetare si stacione plazhi.
Vendimi synon të vendosë një skemë të unifikuar për administrimin e brigjeve të detit, liqeneve dhe lumenjve, duke përcaktuar qartë mënyrën e përdorimit të këtyre hapësirave publike dhe detyrimet e subjekteve që operojnë në to.
Kontrata standarde përcakton rolin e tre institucioneve dhe aktorëve kryesorë që përfshihen në këtë proces. Agjencia Kombëtare e Bregdetit është institucioni që jep të drejtën e përdorimit të hapësirës bregdetare, investitori strategjik është subjekti që e shfrytëzon atë për aktivitet turistik, ndërsa njësia e vetëqeverisjes vendore është përfituese e të ardhurave që krijohen nga tarifa e përdorimit.
Në marrëveshje përcaktohet se hapësira e plazhit i jepet përdoruesit për zhvillimin e aktivitetit të stacionit të plazhit, sipas sipërfaqes dhe koordinatave të përcaktuara në hartën e miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike.
Tarifa për përdorimin e hapësirës bregdetare vendoset nga këshilli bashkiak përkatës dhe rishikohet çdo vit në përputhje me normën zyrtare të inflacionit të publikuar nga INSTAT. Fatura për pagesën e tarifës i dërgohet përdoruesit brenda muajit tetor dhe pagesa duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga momenti i njoftimit. Në rast vonese aplikohen penalitete financiare.
Sipas kontratës, investitori që merr në përdorim stacionin e plazhit ka të drejtë të shfrytëzojë hapësirën për gjithë periudhën e kontratës dhe të kryejë investimet e nevojshme për infrastrukturën mbështetëse, pasi të pajiset me lejet përkatëse. Gjithashtu ai mund të lidhë kontrata me nënkontraktorë për ofrimin e shërbimeve turistike.
Nga ana tjetër, marrëveshja parashikon edhe një sërë detyrimesh për përdoruesin e plazhit. Ai duhet të përdorë hapësirën vetëm për qëllimin e përcaktuar në kontratë, të respektojë standardet e sigurisë dhe higjienës dhe të bashkëpunojë me institucionet për çdo kontroll apo inspektim. Stacionet e plazhit duhet të kenë gjatë gjithë sezonit turistik vrojtues plazhi për garantimin e sigurisë së pushuesve.
Vendimi parashikon edhe masa ndëshkuese për shkeljet. Aktiviteti jashtë sipërfaqes së miratuar në kontratë dënohet me gjobë 150 mijë lekë, ndërsa mosafishimi i rregullave të sigurisë dënohet me 50 mijë lekë. Ndotja e hapësirës, mosrespektimi i standardeve të higjienës ose i kushteve të sigurisë mund të dënohet me gjoba deri në 200 mijë lekë.
Mungesa e vrojtuesit të plazhit gjatë sezonit turistik dënohet me gjobë 200 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje masa financiare dyfishohet. Të gjitha të ardhurat nga këto gjoba kalojnë në buxhetin e shtetit.
Kontrata për përdorimin e hapësirave bregdetare përfundon me skadimin e afatit të saj, por mund të ndërpritet edhe më herët në rast marrëveshjeje mes palëve, në rast force madhore ose nëse përdoruesi nuk respekton detyrimet kontraktore.
Qeveria synon që përmes këtij modeli të ri kontrate të vendosë standarde më të qarta për menaxhimin e plazheve, të përmirësojë administrimin e hapësirave publike bregdetare dhe të rrisë sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve turistike. /skyweb.al
















