Pas disa muajsh bllokim, për shkak të skandalit më të madh financiar që ka ndodhur ndonjëherë në institucionet shqiptare, AKSHI ka zhbllokuar disa tenderë duke shpallur së fundmi fituesit.
SPAK zbuloi te AKSHI një grup të strukturuar kriminal, i cili sipas organit të akuzës abuzonte me fondet publike duke rritur në mënyrë artificiale fondet limit, si edhe duke paracaktuar fituesit përmes kritereve teknike, gjë që çonte paratë drejt kompanive të lidhura me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin.
Një ndër tenderët që është zvarritur, ndërkohë që duhej të ishte shpallur fituesi që në fund të dhjetorit 2025, periudhë kur plasi edhe mega-skandali i AKSHI, është edhe ai me objekt “Mirëmbajtje e Regjistrave Profesional Mjekësor (infermieri, mjeku, stomatologu, farmacisti)”, me fond limit rreth 520 mijë euro pa TVSH.
Siç mëson skyweb.al, fitues për këtë tender është shpallur bashkimi i kompanive OVLA Systems dhe Kreatx, të cilët dhanë ofertën rreth 490 mijë euro.
Ndërkohë ofertues ishte edhe ATOM Computers me rreth 385 mijë euro ofertë, por KVO e ka skualifikuar me argumentin e mos përmbushjes së kritereve teknike.
OVLA Systems është një kompani jo shumë e njohur në sektorin e IT gjatë viteve të fundit dhe është në pronësi të Geri Lulaj, djalit të biznesmenit Besnik Lulaj.
Ndërkohë, Kreatx është thirrur shpesh si kompania e vëllait të Damian Gjiknurit, edhe pse ai ndan aksionet me dy të tjerë si Lejdi Koçi 35 për qind, Enor Nakuçi 35 për qind dhe Panajot Gjiknuri 30 për qind.
Ajo që vërehet në këtë tender ka të bëjë me faktin se asnjë prej “big”-eve të baterisë me fondet publike të AKSHI nuk ka ofertuar.
Edhe Kreatx, që ka qenë po ashtu e preferuar në këto tenderë, ka hyrë këtë herë në bashkëpunim me OVLA Systems.
Gjithçka po ndodh në mes të stuhisë së hetimeve të SPAK për skandalin e fondeve publike të AKSHI, ku dy krerët e institucionit si Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi janë me masë “arresti”, ndërsa arkitektët e skemës sipas SPAK, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndodhen në arrati. /skyweb.al















