Qatar Airways ka nisur të zhvendosë një pjesë të flotës së saj drejt Europës, në një sinjal të qartë se kompania po përgatitet për një periudhë të zgjatur ndërprerjesh në rajonin e Gjirit.
Sipas të dhënave të Flightradar24, kompania ajrore ka dërguar 20 nga avionët e saj më të mëdhenj në aeroportin e Teruel në Spanjë, një qendër e specializuar për mirëmbajtje të rëndë dhe magazinim afatgjatë të avionëve. Vetëm të dielën janë transferuar edhe 5 avionë të tjerë, duke iu shtuar 15 të dërguar më parë.
Mes avionëve të zhvendosur janë modele të mëdha si Airbus A380, A350 dhe Boeing 787, të cilët zakonisht përdoren për transportin e pasagjerëve drejt hub-it të Dohas dhe më tej në destinacione të tjera.
Lëvizja vjen në një kohë kur hapësira ajrore e Katarit mbetet e kufizuar për shkak të konfliktit në Iran, i cili ka hyrë në javën e katërt. Si pasojë, Qatar Airways po operon më pak se një të katërtën e fluturimeve të zakonshme, duke u kthyer në kompaninë më të prekur ndër transportuesit kryesorë të rajonit.
Kompania e ka cilësuar zhvendosjen e avionëve si një masë të përkohshme, duke theksuar se ato do të rikthehen gradualisht në shërbim sapo operimet të rikthehen në normalitet dhe hapësira ajrore të rihapet plotësisht.
Ndryshe nga Qatar Airways, kompani të tjera si Emirates dhe Etihad kanë rifilluar pjesërisht fluturimet nga Dubai dhe Abu Dhabi, ndërsa përpjekjet e Katarit mbeten të kufizuara nga mbyllja e hapësirës ajrore.
Menaxheri i përgjithshëm i aeroportit të Teruel, Alejandro Ibrahim, ka konfirmuar rritjen e aktivitetit në këtë aeroport që nga nisja e konfliktit, duke theksuar se gjithnjë e më shumë kompani ajrore po zhvendosin avionët në zona më të sigurta si Europa.
Sipas ekspertëve të aviacionit, aeroporti i Teruel përdoret zakonisht për magazinim afatgjatë në periudha krize, siç ishte pandemia e Covid-19. Ai ofron si magazinim të përkohshëm, ashtu edhe të thelluar, ku avionët mbrohen nga faktorët e jashtëm për të shmangur degradimin.
Analistët theksojnë se numri i lartë i avionëve të dërguar sugjeron se mund të bëhet fjalë për një qëndrim më të gjatë jashtë shërbimit, ndërsa kompania synon të mbrojë asetet kryesore nga rreziku i dëmtimit në një rajon të paqëndrueshëm./skyweb.al
















