Nga Skyweb.al
Është një meme e famshme që qarkullon shpesh në rrjetet sociale: Një person ndodhet në një gropë dhe kërkon ndihmë, ndërsa një tjetër i zgjat dorën, por pa arritur ta kapë. Pranë atij që bën sikur ndihmon ndodhen shkallët, zgjidhja reale, por ai nuk i përdor.
Disa vetëm bëjnë sikur duan të të ndihmojnë.
Në një rol të ngjashëm duket se ndodhet sot edhe Bordi i Transparencës në raport me çmimet e karburanteve në Shqipëri.

Pas rritjes së fortë të çmimeve si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe luftës në Iran, bordi është rikthyer si mekanizëm “kontrolli”, por pa prodhuar efekt real në lehtësimin e barrës për qytetarët dhe bizneset.
I krijuar fillimisht në kohën e krizës së luftës në Ukrainë, kur çmimet e naftës arritën nivele rekord, bordi po funksionon më shumë si një instrument komunikimi sesa si një mekanizëm real për stabilizimin e çmimeve.
Kjo, për dy arsye të thjeshta: Çmimet e karburanteve në Shqipëri ndikohen tërësisht nga tregjet ndërkombëtare dhe nga struktura e taksimit.
Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit. Çdo litër naftë apo benzinë në Shqipëri mbart një barrë të rëndë fiskale, që praktikisht e bën të pamundur uljen e të çmimit, edhe nëse kostoja e importit do të ishte ZERO.
Sikur arabët të na e falnin naftën, ajo sot nuk do të mund të shitej në treg më pak se 125-135 lekë nëse do të fusnim edhe kostot operacionale të tregtarëve.
Aktualisht, një litër naftë ngarkohet me rreth 115 deri në 125 lekë taksa (në varësi të çmimit ditor). Në këtë shumë përfshihet akciza me rreth 40 lekë për litër, taksa e qarkullimit me 27 lekë, TVSH rreth 35 lekë dhe taksa të tjera që arrijnë në rreth 10 lekë për litër.
Por ka edhe më!
Një tjetër shpikje e “taksimit dembel” që rëndon gradualisht çmimin është mënyra se si është konceptuar akciza. Prej disa vitesh, ajo nuk është më një vlerë fikse prej 37 lekë/litri siç ishte fiksuar prej vitesh, por rritet duke u indeksuar me inflacionin. Në praktikë kjo do të thotë se çdo rritje e çmimeve në ekonomi sjell edhe rritje të mëtejshme të akcizës. Nga ana tjetër, duke njohur strukturën e ekonomisë shqiptare, çdo shtrenjtim i karburanteve përkthehet në më shumë inflacion, i cili më pas merret për bazë për indeksimin e akcizës duke i futur konsumatorët në një qerthull të vazhdueshëm shtrenjtimi në kohëra krizash si këto.
Për shembull, nëse më parë akciza ishte rreth 37 lekë për litër, sot ajo ka arritur në rreth 40 lekë, vetëm brenda pak vitesh.
Atëhere, çfarë roli luan Bordi nëse në fakt hapësira që ka tregu për të ndikuar çmimet e karburanteve sot është thuaje e papërfillshme?!
Në këto kushte, ndërhyrja e Bordit duket më shumë simbolike. Ai nuk prek strukturën e kostos, nuk ndryshon nivelin e taksave dhe për rrjedhojë nuk ka hapësirë reale për të ulur çmimet.
Bordi më shumë me dorën e zgjatur në meme, sesa me shkallët që mund të nxjerrin realisht qytetarin nga “gropa” e çmimeve të larta.
Zgjidhja reale do të kërkonte ndërhyrje pikërisht aty ku është pesha më e madhe: Te taksat.
Një pezullim i përkohshëm i akcizës, ose një ulje efektive e saj në periudha krize, do të kishte efekt të menjëhershëm në çmimin final. Pastaj Bordi le të kontrollonte tregun nëse abuzonin!
Po ashtu, rishikimi i mënyrës së indeksimit të akcizës me inflacionin do të frenonte rritjen automatike të barrës fiskale në afat të gjatë.
Në këtë realitet, ndërsa qeveria nuk zgjedh të përdorë “shkallët”, por vijon të “zgjatë dorën”, Bordi i Transparencës mbetet më shumë një operacion PR sesa një instrument real për të ulur çmimet e karburanteve. /skyweb.al















