Kriza globale e furnizimit me naftë ka hyrë në muajin e dytë, ndërsa pasojat kanë nisur të ndihen në mënyrë të dukshme në tregjet ndërkombëtare, me çmime në rritje, ngadalësim të parashikimeve ekonomike dhe shenja të para mungesash në Azi.
Sipas një analize të publikuar nga Bloomberg, mungesat e karburantit kanë nisur të shfaqen në vende si Tajlanda dhe Pakistani, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se situata është vetëm në fazat fillestare dhe përmasat reale ende nuk janë kuptuar plotësisht.
Gjatë konsultimeve me tregtarë nafte dhe gazi, kompani transporti detar dhe konsulentë të industrisë, një mesazh përsëritet vazhdimisht: bota po përballet me një goditje të paprecedentë në ofertë. Shumë prej tyre e krahasojnë situatën me krizën energjetike të viteve ’70, duke theksuar se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit mund të çojë në një krizë edhe më të thellë.
Sipas vlerësimeve, mungesa e naftës që po godet aktualisht Azinë pritet të përhapet shpejt drejt Europës dhe tregjeve perëndimore. Kontinenti europian mund të përballet me çmime më të larta për të siguruar furnizime, si dhe me rrezik real për mungesë karburanti në javët në vijim.
Nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar, tregu global do të detyrohet të reduktojë ndjeshëm konsumin e naftës dhe gazit. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo do të ndodhë vetëm pasi çmimet të arrijnë nivele që detyrojnë konsumatorët të kufizojnë udhëtimet dhe shpenzimet.
Të dhënat tregojnë se kërkesa ka nisur të bjerë, ndërsa disa vende në Azi kanë filluar të vendosin kufizime në konsum. Paralelisht, zyrtarë amerikanë dhe analistë të Wall Street po marrin në konsideratë skenarin ku çmimi i naftës mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi.
Drejtori ekzekutiv i TotalEnergies, Patrick Pouyanné, paralajmëroi se një krizë që zgjat më shumë se tre deri në katër muaj mund të kthehet në një problem sistemik global. “Nuk mund të kesh 20 për qind të furnizimit global të naftës të bllokuar në Hormuz dhe një pjesë të madhe të kapaciteteve të gazit jashtë loje pa pasoja serioze”, deklaroi ai.
Llogaritjet tregojnë se mbyllja e Ngushticës ka reduktuar qarkullimin global të naftës me rreth 11 milionë fuçi në ditë, një sasi që tejkalon konsumin e përbashkët të disa prej ekonomive më të mëdha europiane.
Ndërhyrjet si përdorimi i rezervave strategjike dhe lehtësimi i përkohshëm i sanksioneve ndaj naftës ruse dhe iraniane konsiderohen masa të kufizuara. Sipas analizës, nëse kriza zgjat, opsionet për të frenuar rritjen e çmimeve mbeten të pakta, ndërsa zgjidhja kryesore mbetet rihapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit. /skyweb.al















