Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të kreut të IMT-së së Tiranës, Rigers Sheqeri, dhe të juristit Erlion Papa, të dy të akuzuar për “shpërdorim detyre”, në një çështje që lidhet me lejimin e një ndërtimi pa leje dhe mosmarrjen e masave ndaj subjektit ndërtues.
Në të njëjtën dosje, masa sigurie “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” është vendosur edhe ndaj biznesmenit Pandeli Carapuli, pronar i shoqërisë “Eurocol”, i cili akuzohet për “ndërtim të paligjshëm”. Carapuli është njohur me masat e sigurisë një ditë më parë në Drejtorinë e Policisë.
Hetimet për këtë rast kanë nisur pas kallëzimit të bërë nga Admir Ago, administrator i shoqërisë “AL OIL 2019” sh.p.k., i cili pretendon se në pronën e kësaj shoqërie janë kryer punime ndërtimi pa leje që kanë shkaktuar dëmtime.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të procedimit penal nr. 337/2026, është konstatuar se për punimet e ndërtimit në Njësinë Administrative Farkë kërkohej pajisja me leje ndërtimi, ndërkohë që shoqëria “Eurocol” sh.p.k. nuk dispononte një leje të tillë.
Nga hetimet rezulton se inspektorët e IMT-së fillimisht kanë konstatuar shkeljen dhe kanë mbajtur procesverbalin përkatës më 29 dhjetor 2025. Megjithatë, më pas, Kryeinspektori Rigers Sheqeri, duke u bazuar në relacionin e përgatitur nga juristi Erlion Papa, ka vendosur mbylljen e procedurës në kundërshtim me ligjin, pa marrë asnjë nga masat administrative të detyrueshme, si pezullimi i punimeve, vendosja e gjobës apo prishja e ndërtimit.
Prokuroria vlerëson se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Sheqeri dhe Papa kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim.
Nga ana tjetër, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe akti i ekspertimit teknik rezulton se Pandeli Carapuli, në cilësinë e administratorit të “Eurocol” sh.p.k., ka kryer ndërtim pa leje, duke realizuar një konstruksion mur-betonarme pa autorizimin përkatës.
Sipas hetimeve, subjekti kishte vetëm një leje për ndërhyrje në infrastrukturë dhe vendosje barrierash kundër zhurmave, e cila nuk mbulon ndërtimin e objekteve që kërkojnë leje ndërtimi, duke përjashtuar çdo justifikim ligjor për punimet e kryera.
Çështja mbetet nën hetim, ndërsa organet e drejtësisë po verifikojnë përgjegjësitë individuale për abuzimin me lejet e ndërtimit dhe moszbatimin e ligjit nga strukturat përgjegjëse. /skyweb.al
















