Ndërsa qytetarët llogarisin lekët për naftën që ka arritur 218 lekë/litrë dhe fermerët humbasin subvencionet falas, duket se kriza e karburanteve ka “zgjidhje magjike” për elitat: deputetët dhe ministrat vazhdojnë të mbushin rezervuarët me para publike, pa u prekur nga rritja e çmimeve.
Vetëm në 2025, Kuvendi ka harxhuar 45.5 milionë lekë për të kompensuar karburantin e 140 deputetëve pra rreth 325 mijë lekë për kokë në vit, ose mbi 1.3 milionë lekë në një mandat katërvjeçar.
Me këto shuma, një deputet mund të “udhëtojë” drejt Europës pa u ndalur, ndërsa fermeri shqiptar llogarit çdo litër për të mbjellë tokën, shkruan versus.
Në total, përfitimet për deputetët arrijnë 200 milionë lekë në vit (44% e shpenzimeve operative), duke përfshirë telefona, dieta dhe qira, plus 60 milionë për udhëtime jashtë dhe 14.5 milionë për makina të reja.
Ironia?
Bordi i Transparencës rrit çmimet për të gjithë të tjerët, por fondet publike sigurojnë “imunitet” të plotë për ata që vendosin.
















