Presidenti Bajram Begaj, përkujtoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale 17-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si një arritje historike që ka forcuar sigurinë, sovranitetin dhe rolin e saj në aleancën Euroatlantike.
Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Shqipërisë si një aleate e denjë në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të vendit në misionet dhe operacionet e Aleancës.
Në këtë kontekst, Presidenti Begaj shprehu krenarinë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë kontribuar me dinjitet krah aleatëve kudo sa herë dhe ku është kërkuar kontributi i tyre.
Presidenti theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një faktor stabiliteti dhe sigurie dhe se krah aleatëve të saj ajo do të vijojë të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë.
“Sot, 17 vjet Shqipëria në NATO, një moment historik për sigurinë, sovranitetin dhe orientimin tonë Euroatlantik.
Si aleancë e vlerave demokratike, NATO është garant i paqes, sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në hapesiren Euroatlantike. Shqipëria është një aleate e denjë, kontribuese aktive në misionet dhe operacionet e saj. Krenarë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura! Mbetemi të bashkuar për paqen, stabilitetin dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, tha Presidenti.















