Momente tensioni janë regjistruar mëngjesin e 10 prillit 2026 në një fluturim të Ryanair që ishte nisur nga Catania drejt Athinës.
Avioni i tipit Boeing 737 është përballur me probleme vetëm pak minuta pas ngritjes, duke detyruar pilotët të ndërpresin itinerarin.
Fluturimi ishte nisur në orën 08:10 nga aeroporti Catania-Fontanarossa, por gjatë ngjitjes, pasagjerët kanë ndjerë një rënie të menjëhershme të fuqisë së avionit.
Në vend që të vijonte drejt Greqisë, avioni ka ndryshuar kurs dhe ka nisur procedurat për ulje emergjente.
Sipas raportimeve, ndërsa ndodhej mbi zonën e Gjirit, mjeti ajror ka pësuar humbje fuqie në motor, çka ka shkaktuar frikë të madhe në bord.
Nuk raportohet për persona të lënduar, por situata është përjetuar me ankth nga pasagjerët.
Sipas mediave italiane, panikun e ka shtuar edhe mungesa e komunikimit të qartë nga ekuipazhi, pasi sipas burimeve, stafi i kabinës nuk fliste italisht dhe vetë është përfshirë nga tensioni i krijuar pas incidentit.
Për rreth dy orë, avioni ka qëndruar në manovra pritjeje në ajër, në pritje të kushteve për ulje të sigurt.
Në orën 10:15 është realizuar rikthimi dhe ulja emergjente në aeroportin e nisjes në Catania.
Pas uljes janë kryer kontrolle teknike për të përcaktuar shkakun e avarisë, ndërsa megjithëse kompania kishte planifikuar një fluturim zëvendësues në pasdite, shumë pasagjerë kanë refuzuar të vijojnë udhëtimin. /skyweb.al
















