Ermal Beqiri, një nga biznesmenët e kërkuar nga SPAK për dosjen e tenderëve të AKSHI-t, u arrestua dje në Francë, pasi avioni i lehtë që drejtonte hyri në hapësirën e kufizuar mbi një central bërthamor në Normandi.
Fluturimi ngriti alarmin te strukturat franceze të sigurisë, të cilat ndërhynë për ndalimin e avionit dhe verifikimin e pilotit shqiptar. Gjatë kontrollit raportohet se janë gjetur edhe pajisje elektronike, duke ngritur dyshime edhe për aktivitet spiunazhi ndërsa autoritetet franceze po hetojnë rrethanat e fluturimit.
Pas konfirmimit të identitetit dhe arrestimit të tij, Beqirit pritet t’i komunikohet sot masa e sigurimit e vendosur në Shqipëri dhe të nisin procedurat për ekstradimin.
Por ndërsa SPAK e kërkonte për akuza të rënda, përfshirë grupin e strukturuar kriminal, pastrimin e parave, manipulimin e tenderëve dhe heqjen e paligjshme të lirisë, kompania e tij HORIZON vijon të marrë pagesa nga buxheti i shtetit.

Ironikisht, paratë vinin pikërisht nga administrata e sistemit të drejtësisë, i cili kërkon ta sjellë Beqirin përpara gjykatës. Histori tipike shqiptare, SPAK dhe GJKKO duan ta sjellin para drejtësisë, kurse KLGJ i jep oksigjen duke paguar kompanitë e tij.
Sipas të dhënave të Thesarit të konsultuara nga Skyweb.al, më 30 qershor 2026 kompania “Horizon” ka marrë një pagesë prej 10,958,400 lekësh nga “Aparati i Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”.
Institucioni pagues administron fondet e sistemit gjyqësor, ndërsa përshkrimi i transaksionit e lidh pagesën me një kontratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Pagesa është ekzekutuar vetëm pak javë përpara arrestimit të Beqirit në Francë dhe në një kohë kur ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.
Tenderi për sistemin informatik të drejtësisë
Kontrata ka të bëjë me ngritjen e sistemit “Enterprise Service Bus”, një platformë informatike që synon të lidhë programet dhe databazat e institucioneve të drejtësisë.
Procedura është zhvilluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe është fituar nga bashkimi i operatorëve “Soft & Solution” dhe “Horizon”.
Sistemi duhet të mundësojë shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet platformave të ndryshme të gjykatave dhe institucioneve të tjera.
Shuma prej 10.9 milionë lekësh përfaqëson një këst të kontratës dhe jo të gjithë vlerën e projektit, pagesat për të cilin duket se do të vijojnë. Në dokumentet e Thesarit, ajo klasifikohet si pagesë për shërbimin dhe instalimin e sistemit kompjuterik.
Ermal Beqiri konsiderohet nga SPAK si koka e skandalit AKSHI bashkë me Ergys Agasin duke patur mbi shpinë edhe akuza të rënda si pengmarrje e rivalëve në biznes si Gerond Meçe. /skyweb.al
















