Elon Musk, drejtuesi ekzekutiv i Tesla-s dhe bashkëthemelues i SpaceX, ka tërhequr vëmendjen me një demonstrim teknologjik që kujton skenat e serialit të famshëm “Knight Rider”. Bëhet fjalë për versionin e ri të Tesla Roadster, një supermakinë e pajisur me shtytës me gaz të ftohtë, të zhvilluar duke përdorur teknologjinë e SpaceX.
Demonstrimi synon të tregojë potencialin inxhinierik të kompanive të Musk, duke ndërthurur teknologjinë automobilistike me atë hapësinore. Entuziazmi rreth prezantimit ndikoi pozitivisht edhe në çmimin e aksioneve të Tesla-s gjatë së premtes, megjithatë analistët shohin mundësi të kufizuara për përfitime të konsiderueshme tregtare nga modeli i ri.
Mamta Valechha, analiste e sektorit të konsumit dhe mallrave diskrecionale në Quilter Cheviot, e cilësoi demonstrimin si një moment inxhinierik që synon të tërheqë vëmendjen dhe të krijojë entuziazëm rreth markës.
Edhe Rico Luman, ekonomist i lartë për sektorin e transportit dhe logjistikës në ING, e përshkroi prezantimin si një veprim publicitar që forcon imazhin e Tesla-s si kompani inovative. Sipas tij, makinat lidhen jo vetëm me funksionalitetin, por edhe me emocionet dhe stilin e jetesës, çka e bën demonstrimin veçanërisht tërheqës për publikun.
Ndërkohë, Gene Munster, partner drejtues në Deepwater Asset Management, e cilësoi demonstrimin në platformën X si një shfaqje të aftësive inxhinierike, pa vlerë të rëndësishme komerciale përtej sfidimit simbolik të prodhuesve tradicionalë të makinave.
Prodhimi pritet të nisë në vitin 2028
Pavarësisht interesit të madh, vetë Musk ka minimizuar më herët pritshmëritë për ndikimin financiar që mund të ketë Roadster-i.
Sipas Valechha-s, vlera kryesore tregtare e projektit mund të jetë forcimi i imazhit të Tesla-s si kompani inovative, dhe jo gjenerimi i fitimeve të konsiderueshme.
Musk ka deklaruar se prodhimi pritet të nisë në vitin 2028. Tesla ka hapur rezervimet për automjetin, ndërsa versioni Rocket, i pajisur me teknologjinë e shtytësve, mund të sigurohet vetëm përmes një ftese. Kompania nuk ka bërë ende të ditur çmimet përfundimtare të shitjes.
Roadster-i u prezantua për herë të parë në vitin 2017. Një vit më vonë, Musk sugjeroi se përdorimi i shtytësve mund t’i jepte makinës aftësi fluturimi. Megjithatë, projekti është shoqëruar me vonesa të përsëritura, pasi prodhimi fillimisht ishte premtuar për vitin 2020.
“Rreziqet që lidhen me besueshmërinë dhe realizimin e projektit mbeten të larta”, vlerësoi Valechha.
A mund të bëhen makinat fluturuese të përhapura në treg?
Një nga pengesat kryesore për përhapjen e kësaj teknologjie është kuadri rregullator. Aftësitë e fluturimit të Roadster-it nuk janë miratuar për përdorim në rrugët publike, ndërsa kostot e larta të prodhimit përbëjnë një tjetër sfidë.
Sipas Luman, Roadster-i është projektuar si një automjet sportiv për një treg të ngushtë. Përhapja masive e makinave fluturuese nuk duket realiste në të ardhmen e afërt, pasi do të duhet të respektohen rregullat e hapësirës ajrore dhe kërkesat e certifikimit për avionët, përfshirë ato të Agjencisë së Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian (EASA).
E pyetur nga Euronews Business, EASA sqaroi se zbatimi i rregullave të aviacionit për Roadster-in do të varet nga projektimi, aftësitë teknike dhe mënyra e synuar e përdorimit të automjetit.
Agjencia theksoi se nuk komenton aplikime konkrete për certifikim apo veprimtari që lidhen me prodhues të veçantë. Megjithatë, çdo mjet i projektuar për të operuar si avion duhet të përmbushë kërkesat përkatëse të sigurisë ajrore. Këto mund të përfshijnë edhe kualifikime të posaçme për personin që e drejton.
Një tjetër problem është mbingarkesa e hapësirës ajrore, veçanërisht për shkak të rritjes së përdorimit të dronëve. Luman vlerëson se autoritetet nuk ka gjasa të lejojnë një numër të madh makinash fluturuese që operojnë pa kontroll, për shkak të rreziqeve për sigurinë.
Edhe pse disa prej risive teknologjike të Roadster-it mund të përdoren në automjete të tjera në të ardhmen, ekspertët nuk presin që teknologjia e fluturimit apo shtytësit të bëhen pjesë e zakonshme e makinave për përdorim masiv në një të ardhme të afërt.
Sipas Valechha-s, kostot, kompleksiteti teknik dhe pengesat rregullatore e bëjnë të vështirë zbatimin e këtyre funksioneve në automjete që prodhohen në sasi të mëdha.
Për momentin, Tesla Roadster mbetet një demonstrim ambicioz i kapaciteteve teknologjike të Elon Musk, që mund të forcojë markën dhe të tërheqë vëmendjen e investitorëve e publikut. Por mes një prezantimi spektakolar dhe një produkti fitimprurës për tregun e gjerë, mbeten ende shumë sfida për t’u kapërcyer.















