Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimin e rasteve të dyshuara për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Përmes një deklarate për mediat, AMP bën me dije se ka monitoruar situatën gjatë protestave, duke angazhuar punonjës në terren për evidentimin e rasteve konkrete që mund të përbëjnë shkelje të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës nga efektivët e policisë.
Në kuadër të këtij procesi, Agjencia ka administruar gjithashtu materiale filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale. Të gjitha materialet do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
AMP vijon veprimet për rastet e evidentuara, në bashkëpunim dhe koordinim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, për shkëmbimin e informacionit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjeve. Agjencia thekson se ky bashkëpunim nuk do të cenojë pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit.
Për rastet kur janë evidentuar të dhëna që përmbajnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Në deklaratën e saj, AMP nënvizon se do të vijojë monitorimin e situatës dhe verifikimin e çdo rasti që lidhet me ushtrimin e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
Agjencia riafirmon angazhimin për garantimin e paanshmërisë, llogaridhënies dhe zbatimit të ligjit, si dhe për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.















