Çmimi i naftës Brent arriti të premten, më 23 tetor, në 114.45 dollarë për fuçi, duke shënuar nivelin më të lartë që prej muajit maj. Paralelisht, tregjet globale të aksioneve u përballën me një valë shitjesh, mes shqetësimeve të investitorëve për kostot e larta të investimeve në inteligjencën artificiale.
Nafta Brent, referencë për çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare, u shtrenjtua me 1.4%, ndërsa për të gjithë javën parashikohet një rritje prej rreth 3.9%.
Rritja e çmimeve vjen në një klimë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi i konflikteve dhe rreziku i ndërprerjes së furnizimeve me energji po shtojnë pasigurinë në tregjet ndërkombëtare. Sulmet e rebelëve Houthi në Arabinë Saudite kanë rritur gjithashtu shqetësimet për sigurinë e furnizimit me naftë.
Shtrenjtimi i energjisë përbën një tjetër rrezik për ekonominë globale. Çmimet më të larta të naftës mund të rrisin kostot e transportit dhe të prodhimit, duke u reflektuar më pas te çmimet për konsumatorët. Kjo situatë mund të ushtrojë presion të mëtejshëm mbi inflacionin dhe të ngadalësojë rritjen ekonomike, në një kohë kur tregjet po përballen edhe me pasigurinë për qëndrueshmërinë e investimeve në teknologji dhe inteligjencë artificiale. /skyweb.al















