Bashkia Patos ka planifikuar të shpenzojë rreth 40 milion lekë për rikostruksionin e një blloku pallatesh para Pallatit të Kulturës në qytet duke shpallur kështu edhe një tender me fond limit 40 671 021 lekë pa TVSH.
Për shkak të natyrës së punimeve dhe profilit të shumë kompanive në vend, në tender kanë dhënë ofertë 11 kompani duke rritur kështu shanset që bashkia të kursente një shumë të mirë parash për shkak të konkurrencës së madhe në këtë procedurë prokurimi.
Por, për çudi, fituesi është shpallur me 97% të fondit limit, ndërkohë që sipas dokumentacionit të konsultuar nga Skyweb.al, janë skualifikuar 10 ofertat e tjera për shkaqe të çuditshme.
Në përfundim të procedurës, u shpall fituese kompania PE-VLA-KU me ofertën 39,448,048.5 lekë. Kjo rezulton të jetë edhe oferta më e lartë e dhënë nga të gjithë pjesëmarrësit.
Njëra nga kompanitë e skualifikuara për shembull, “KTHELLA” sh.p.k është “djegur” se i ka punëtorët më të kualifikuar se ç’kërkon kontraktori.
“Është skualifikuar OE KTHELLA sh.p.k, pasi në DST është kërkuar që Operatori Ekonomik duhet të ketë të punësuar me kontrata pune 20 Puntorë të thjeshtë, por vetëm 2 (dy) prej kontratave të punës rezultojnë të jenë si Puntorë të thjeshtë, ndërsa kontratat e tjera të punës për punonjësit e deklaruar si Punëtor të thjeshtë rezultojnë të mos jenë lidhur specifikisht si Punëtor të thjeshtë midis punëdhënësit dhe punëmarrësit por si specialista në fusha të caktuara”, thuhet një dokumentin e njoftimit të fituesit.

Ndërkohë, rezulton se kjo kompani ka marrë përsipër kryerjen e punës me rreth 33 milion lekë duke i kursyer taksapaguesve të Patosit rreth 7 milion lekë, jo pak për një bashki të vogël. /skyweb.al