Qeveria ka hedhur për konsultim një draftligj të ri që synon të rregullojë ofrimin e kujdesit alternativ në familje për fëmijët që kanë humbur përkujdesjen prindërore ose që ndodhen në rrezik për ta humbur atë. Ky ligj vjen si pjesë e përpjekjeve për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Projektligji përcakton rastet kur fëmijët mund të përfitojnë nga ky shërbim. Ndër këto raste përfshihen, mungesa e të dy prindërve, pamundësia e prindit për të ushtruar përgjegjësinë prindërore, braktisja, ose kur prindërit ndodhen në institucione të vuajtjes së dënimit. Lista përfshin të paktën 10 kategori, por ligji lë hapësirë edhe për raste të tjera të veçanta.
Kujdesi alternativ do të ofrohet nga familje të përzgjedhura, të cilat ndahen në dy forma: kujdes profesional dhe kujdes vullnetar.
Kujdesi profesional jepet nga familje të licencuara dhe të trajnuara posaçërisht. Sipas nenit 9 të projektligjit, ky kujdes mund të jetë:
Kujdestari emergjente, për raste të menjëhershme, ose kujdestari e specializuar, për fëmijë që ndodhen në situata të ndërlikuara dhe kërkojnë trajtim më të veçantë.
Kujdesi vullnetar mund të ofrohet nga: familjarë të afërt të fëmijës (gjyshërit, motra, vëllezër të rritur, teze, dajallarë, nipa, mbesa); Edhe familje pa lidhje gjaku, të gatshme të ofrojnë kujdes dhe mbështetje.
Sipas nenit 13, familjet që dëshirojnë të ofrojnë kujdes profesional duhet të plotësojnë një sërë kriteresh dhe pajisen me licencë në përputhje me ligjin për licencat dhe autorizimet. Të gjitha të dhënat për këto familje do të regjistrohen në një regjistër të posaçëm shtetëror.
Procesi i kujdesit alternativ do të përfshijë një bashkëpunim të ngushtë mes disa institucioneve shtetërore, që nga identifikimi i rasteve problematike, vlerësimi i situatës së fëmijës, përzgjedhja e familjes kujdestare dhe deri te vendimet përfundimtare, të cilat mund të merren edhe nga gjykatat. /Skyweb.al















