Dhjetëra milionë euro kanë përfunduar në xhepat e një grupi njerëzish, kryesisht të lidhur me pushtetin por edhe me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Në emisionin e sotëm (1 tetor 2025), do të ndalemi tek vetëm disa prej tyre, të cilët as nuk janë kujdesur të kamulfojnë përfitimin e fondeve.
Ardian Tufa, ka qenë ish-drejtues i Njësisë Administrative në Farkë. I konsideruar një nga njerëzit e besuar të Erion Veliajt për shumë kohë, Tufa do të shfaqej gjithashtu edhe krah Frida Krifcës. Arsyet e këtij afrimi nuk ishin thjesht lidhja politike, por dhe interesi financiar, për të përfituar nga fondet e AZHBR.
Biznesmeni Ardian Tufa rezulton se ka përfituar nga masa 7 e fondeve IPARD, për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit. Sipas AZHBR, Nari i Lundrës ka kryer një investim prej 41 milionë lekësh, apo rreth 410 mijë eurosh, ku 65% të investimit e ka mbuluar IPARD me vlerën e 247 mijë eurosh.
Manjola Haska, motra e deputetit socialist të Tepelenës, Tërmet Peçi, është një tjetër emër që ka përfituar qindra mijëra euro nga IPARD për të ndërtuar Agro Turizëm Rexhinin. Sipas të dhënave publike AZHBR dhe Manjola Haska kanë firmosur kontratën për përfitimin e fondeve IPARD për ndërtimin e shtëpizave të drurit në fshatin Rexhinë.
Kontrata ka një afat 05.04.2023 deri në 06.10.2023 dhe vlera e investimit është 346.000 euro dhe granti që ka përfituar nga IPARD është në vlerën 225.000 euro. Jo vetëm motra e Tërmetit, por edhe burri i saj, ka futur duart në fondet e fermerëve, duke përfituar një vlerën prej 15 mijë eurosh për mbjellje pemësh.
Një tjetër kompani, pas së cilës dyshohet se fshihet pikërisht ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi dhe drejtori i tij i tenderave, Lorenc Bami, është “IUMENTIS”. E denoncuar nga Plug sezonin e kaluar, kjo shoqëri ka përfituar plotë 758 mijë euro fonde nga IPARD, duke vendosur një nga rekordet për shumat e përfituara nga taksat e qytetarëve europianë.
Petrit Tare, ish-drejtori i Ujësjëllësit të Korçës është një tjetër emër i lidhur ngushtë me Niko Peleshin, që ka përfituar qindra mijëra euro fonde nga IPARD.
BLOOM Fruits, ku Petrit Tare është aksioner me 30% të aksioneve, ka përfituar 251 mijë euro fonde nga IPARD apo rreth 70% të totalit të investimit prej 363 mijë eurosh, investim për ndërtimin e një sere fruta perimesh.
Sokol Tusha, është vëllai i Taulant Tushës, ish-krahut të djathtë të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, që u arrestua për aferën e inceneratorit të Sharrës dhe dosjen 5D. Vëllai i Taulantit, Sokoli, nuk ka munguar në përfitimin e qindra mijërave eurove nga IPARD për të ndërtuar një Agroturizëm. Sipas AZHBR Sokol Tusha a përfituar 196 mijë euro ose 65% të vlerës së Investimit prej 374 mijë eurosh për ndërtimin e një agroturizmi në Kashar.
Alban Zusi është ish-zëvendësministër i bujqësisë i qeverisë Rama në mandatin e parë të saj.
Si një njeri që i njeh mirë punët e bujqësisë, Alban Zusi duket se ka ditur edhe të përfitojë jo pak, por plotë 532 mijë euro fonde nga IPARD për një investime me vlerë 1 milionë euro, për ndërtimin e një fabrike përpunimi peshku në Lezhë.
Shkëlqim Bullari, është ish-deputet i Partisë Socialiste. Ai, së bashku me vëllezërit e tij, janë promovuar nga faqja e IPARD në Shqipëri për biznesin në fushën e pemtarisë dhe agroturizmit. Plug kërkoi të dhëna, por nuk arriti të provonte shumën e përfitimit nga vëllezërit Bullari nga fondet e AZHBR, pasi ato janë nuk gjenden në internet.
Të gjithë e kujtojnë këtë foto të famshme. Loreta Tozaj pozoi ulur në prehrin e Kryeministrit Edi Rama. Dhe duket se kjo foto kaq e afërt e Tozajt me Edi Ramën, do ta shpërblente atë të ngjiste shkallët e karrierës, duke u bërë një nga drejtoreshat e shumta të Kadastrës së Vlorës.
Sipas faqes së AZHBR, Loreta Tozaj ka përfituar 82 mijë euro nga IPARD, për një investim me vlerë 113 mijë eurosh në fshatin Kllarat në Vranisht.
Gjergj Luca, një nga njerëzit që ka përfituar dhjetëra hektarë pasuri e prona publike për bizneset e tij gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, nuk ka mbetur pas as në përfitimin e qindra mijërave euro për biznesin e peshkut.
Në vitin 2019, nëpërmjet kapitetin të anijes “Rosafa”, Gjergj Luca aplikon pranë AZHBR për një fond prej 400 milion lekësh, me objekt rikonstruksion anijesh.
Andon Nako, është një kapiten i vërtet për Gjergj Lucën, pasi ky i fundit nëpërmjet Nakos ka mbyllur shumë afera, me drejtësinë, si ajo e grabitjes së peshkut ton në Maltë apo vjedhjes së një anije në portin e Limionit në Sarandë, për të cilat Plug do të flasë në emisionin e ardhshëm.
Ndrec Llusku, një tjetër lezhian i lidhur me politikën, dhe konkretisht ish-kandidat i Tom Doshit në zgjedhjet e vitit 2021, ka përfituar plotë 91 mijë euro për të ndërtuar një pemishte në Orosh të Mirditës.
Elvis Roshi, ish-kryebashkiak i Kavajës, rezulton gjithashtu një nga përfituesit kryesor të fondeve IPARD. Sipas AZHBR, Kompania Kavalion e Elvis Roshit, ka përfituar 123 mijë euro për ndërtimin e një agroturizmi në Kavajë.
Balkan Trans Albania, në pronësi të Rodolf Xhillari,pjesë e forumeve më të larta drejtuese të Partisë Socialiste, konsull nderi i Izraelit, ka përfituar 538.000 euro. Sipas të dhënave, kjo shoqëri ka përfituar fonde për të ndërtuar një stabiliment për përpunimin e mishit.
‘Coast to Coast’ e gruas së investitorit strategjik Florenc Gjikuria ka përfituar 189.000 euro, para të cilat janë kërkuar të kthehen nga OLAF por ende nuk ka ndodhur. Bashkëshortja e Florenc Gjikurisë, Xheni Gjikuria është përfolur në media edhe si njeri i lidhur me ish-ministren Frida Krifca.
Në radhën e gjatë të zyrtarëve të lartë socialist, apo personave të lidhur me ta, nuk kanë munguar as kryebashkiakët. Një ndër ta është Fredi Kokoneshi,ish-kryebashkiaku socialist i Divjakës, bashkëshortja e tij, Eriona Kokoneshi përfitoi plotë 44 mijë euro fonde nga IPARD për ndërtimin e një kantine vere.
Andi Kokoneshi, nipi i Fredi Kokoneshit, ka përfituar 32.000 euro. Ai ka përfituar këto fonde për Investim për përmirësimin e cilësisë së qumështit, makineri për përgatitjen e ushqimit për kafshet.
Ish-deputeti socialist, Dashamir Peza, i njohur si një nga miqtë e Kryeministrit Edi Rama, është gjithashtu pëfitues i fondeve IPARD. Sipas të dhënave, nëpërmjet kompanisë së tij Il Paeze, Dash Peza ka përfituar një shumë prej 222 mijë eurosh për ndërtim agro turizmi.
Nuk mungojnë as njerëzit e afërt të ish-deputetit dhe ministrit socialist, Saimir Tahiri.
Kunati i tij, Alban Berisha, administrator i “Ferma 100”, ka përfituar reth 48 mijë euro fonde për rikonstruksionin e një stalle në Vaqarr. Edhe shtetasja Elda Alia PF (Ferma 100, Saimir Tahiri) ka përfituar 121.000 euro.
Rast skandaloz është dhe ai i Elton Buallit, ish-administratorit të inceneratorit të Sharrës, njeriut që bëntë propagandën e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit në aferën e djegësave. Elton Bualli ka përfituar jo pak por plotë 310 mijë euro për ndërtimin e një sere me fondet e IPARD, pikërisht në landfillin e Sharrës në Tiranë.
ALBANIA PIEMONTE SHPK, është një tjetër kompani, në pronësi të një ish-drejtuese e ALUIZNIT në Tiranë gjatë qeverisë Rama. Pas karrierës në politikë, Orjeta Myzeqari u bë aksionere në kompaninë Albania Piemonte. Edhe kjo shoqëri rezulton se ka përfituar fonde IPARD, me një grant që kap vlerën e 301 mijë eurove, për ndërtimin e një magazine grumbullimi për perime në fshatin Gosë të Kavajës.
Armand Tafili, ka përfituar fonde për Agron Turizëm Rohan, me vlerë granti prej 234 mijë eurosh, ndërsa rezulton se ka punuar edhe në bashkinë e Ersekës drejtuar nga Erion Isai.
Kompania Unique Travel, në pronësi të shtetases Manjola Fidani, ka përfituar mijëra euro fonde nga IPARD për ndërtimin e një vile në Voskopojë. Fidani rezulton se ka punuar pranë Fondit të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë.
Emrat e mësipërm, janë vetëm disa nga emrat e politikanëve apo personave të lidhur ngushtë me politikën, që kanë përfituar qindra mijëra euro fonde nga IPARD. Në vijim do t`ju tregojmë se dorën te taksat e qytetarëve europianë, dhuratë për fermerët shqiptarë, e futën edhe persona të botës së krimit apo përfitues tenderash publik.
Kompania Albgarden SHPK, në pronësi të Pjetër Trashajt, ka përfituar 48 mijë euro fonde nga AZHBR. Sipas njoftimit të AZHBR, Pjetër Trashaj ka përfituar fonde për të investuar në mekanikë bujqësore.

Por teksa AlbGarden ka futur duart në paratë e fermerëve, kompania e Pjetër Trashajt është një nga përfituesit e tenderave publik, duke përfituar qindra mijëra euro për lule. Shpesh kjo kompani ka qenë nën akuzë edhe pasi djali i Pjetër Trashaj, ish-punonjës në ministrinë e Mjedisit, ka firmosur tendera për kompaninë e babait.
COMPANY RIVIERA 2008 SHPK, një tjetër kompani ndërtimi, në pronësi të Agim, Pëllumb, Kujtim dhe Viktor Kolës, është një nga përfituesit e majmë të fondeve IPARD.
Investim në ndërtimin e një magazine me sipërfaqe 2,282 m2 perfshire 13 dhoma rigoriferike për grumbullimin, seleksionimin, paketimin dhe ruajtjen e frutave dhe perimeve. Nga të dhënat rezulton se kjo kompani ka përfituar 810 mijë euro fonde nga IPARD, ndonëse përfiton gjithashtu çdo ditë dhjetëra tendera publik, për të cilët do të flasim në emisionin e ardhshëm.

Apostol Xhaferri, një ndërtues nga Skrapari, familjarisht ka përfituar qindra mijëra euro nga IPARD.
Kompania “GOLDEN BEES” sh.p.k (ish-“BLETA E ARTË”) u themelua në tetor 2018, nga Apostol Xhaferri. Vajza e tij, administratore aktuale e kompanisë, ka përfituar 154 mijë euro për ndërtimin e një kantine vere.
E sikur të mos mjaftonte kjo, vetë Apostoli, i përfolur gjithashtu në media, ka përfituar 202 mijë euro fonde nga IPARD. Në këtë rast babë e bijë morën nga IPARD 341,494 euro përmes kompanive të krijuara rishtazi.
Top Fruits, ish kompania “DONI FRUITS”, është gjithashtu 924 mijë euro përfitim.
Kompania “DONI FRUITS”, ka ndërruar emrin së fundi duke u bërë Top Fruits. Ndertim godine per grumbullim fruta-perime. Linje kalibrimi dhe pketimi te fruta perimeve me eficence të lartë energjie dhe të certifikuara CE si edhe dhoma frigoriferike me klime te kontrolluar dhe ngrirese.
Kjo kompani aktualisht është në pronësi të Gjonaj Group, e shtetasit Marin Gjonaj , i shpallur në kërkim nga policia për ndërtim të paligjshëm të fermave të Bitcoin.

ZDRAVO SHPK është një kompani tjetër ndërtimi, që ka shkuar pranë pragut prej rreth 1 milionë euro përfitime nga fondet IPARD. Kjo shoqëri, që aktualisht zotërohet nga disa persona, ka përfituar plotë 981 mijë euro fonde nga IPARD.
Investimi konsiston në blerjen e një linjë të plote për përpunimin e domateve, kastravecave, specave me kapacitet 1-2 ton në ore duke e trefishuar kapacitietin para investimit. E sikur të mos mjaftonin marrja e fondeve, që duhet t`u shkonin fermerëve, ZDRAVO SHPK, është dhe një nga kompanitë e preferuara të kryebashkiakëve socialist për tenderat publikë. Më shumë se 70 tendera me pagesa mbi 15 milionë euro nga buxheti i shtetit ka marrë kjo kompani deri më sot.
Jo vetëm politikanë dhe sipërmarrës, apo njerëz me pushtet, por fonde nga programet e AZHBR dhe IPARD kanë përfiuar edhe persona të skeduar.
Babai i Suel Çelës, Petrit Çela, ka përfituar nga programet kombëtare rreth 150 mijë euro për ndërtimin e tregut në Elbasan.

Mediat kanë denoncuar edhe emra të tjerë. Arbër Çekaj, i cili ndodhet në burg për trafik kokaine nëpërmjet bananeve nga Amerika Latine, sipas mediave ka përfituar 264 mijë euo fonde nga BE. Agron Metvelaj, ka pëfituar gjithashtu fonde nga AZHBR dhe IPARD, ndonëse ka qenë person i skeduar.
Këta janë vetëm disa nga zyrtarët apo persona me rekorde kriminale që kanë zhvatur paratë e feremerëve.
Në puntatën e radhës, do t’ju tregojmë se lista e tyre është më e madhe, e brenda saj ka personazhe publik të jetës politike apo publike.
E për karshillikun që kanë bërë ndaj fermerëve dhe qytetarëve shqiptarë, do tju sjellim edhe pamje të parajsës që kanë ndërtuar me paratë tuaja! Shifemi të mërkurën tjetër! Emisioni Plug