Në dosjen hetimore të SPAK për zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, parë nga Skyweb.al, janë përfshirë komunikime të detajuara që tregojnë se përpara takimit me përfaqësuesit e kompanisë turke që fitoi tenderin e tunelit të Llogarasë, Balluku dhe Berberi janë koordinuar përmes mesazheve private, të dërguara në fund të gushtit 2021.
Sipas dokumenteve hetimore, më 28 gusht 2021, Balluku i shkruan Berberit:
“E shpëton Erind situatën? Bën sens apo jo?”
Berberi i përgjigjet:
“Sens bën, po mos na hidhen në fyt pala tjetër. Si fillim ta shtyjmë që t’i japim kohë vetes.”
Menjëherë pas kësaj, Balluku i cakton takim për të nesërmen:
“Nesër në 8 tek unë, përballë me zyrën tënde.”
Një ditë më vonë, më 29 gusht 2021, komunikimi mes tyre merr një tjetër ton. Në orën 07:54, Berberi i dërgon mesazhin:
“Mgjs te Toni u ula.”
Balluku i kthen përgjigje:
“Në darkë o zemër.😂”
Më pas shton:
“Unë jam në Vjenë, po le Colinin në shkollë, kthehem në drekë.”
Në orën 19:56, Berberi njofton:
“Unë mbërrita te Toni, brenda u ula.”
Balluku i përgjigjet:
“Erdha për pak… Sorry se isha pak tek babi.”
Berberi:
“Pa prob.”
Në orën 21:03, Balluku i dërgon mesazhin:
“Po futem në garazh. Hajde lart më mirë. Shkalla H.”
Berberi konfirmon:
“Këtu jam. Ok.”
Një ditë pas këtij takimi, më 30 gusht 2021, Balluku i kërkon Berberit informacion:
“Ke kanë me vete?”
Berberi i përgjigjet:
“Vetëm tre turqit.”
Balluku:
“Ok.”
Nga të dhënat e sistemit TIMS, konfirmohet se dy shtetasit turq Ayhan Altun dhe Çagri Silahtaroglu, përfaqësues të “Shoqërisë së thjeshtë Intekar-ASL”, kanë hyrë në Shqipëri më 29 gusht 2021 dhe janë larguar më 30 gusht 2021, në orën 15:33.
Këta shtetas ishin përfaqësues të kompanisë që fitoi tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, kontratë e shumëpërfolur për parregullsi procedurale dhe diferencë të madhe çmimi me ofertat e tjera konkurruese.
Bisedat e zbardhura tregojnë se takimi mes Ballukut dhe Berberit është zhvilluar mbrëmjen e 29 gushtit, vetëm një ditë përpara se turqit të mbërrinin në Shqipëri. Pikërisht në këtë kontekst, një nga mesazhet më të diskutueshme mbetet ai i Ballukut për vartësin e saj:
“Në darkë o zemër.”
Vetëm pak orë më vonë, në një tjetër komunikim, Berberi raporton:
“Këtu jam.”, ndërsa Balluku e udhëzon:
“Po futem në garazh. Hajde lart më mirë. Shkalla H.”
Të nesërmen, tre përfaqësuesit e kompanisë turke zhvilluan takime në Tiranë, në kohën kur procedurat e tenderit të Tunelit të Llogarasë ishin në kulm. /skyweb.al















