Air Albania vijon të përballet me probleme serioze operacionale dhe financiare, të cilat po rëndohen dita-ditës. Edhe gjatë ditës së sotme, kompania anuloi një tjetër fluturim të planifikuar, duke lënë pasagjerët pa sqarime dhe pa alternativa të qarta. Pasagjerë të fluturimit të linjës Tiranë–Milano, me nisje në orën 12:20, i thanë ekofin.al se u njoftuan në moment të fundit për anulimin e fluturimit, ndërsa kompania nuk dha shpjegime të detajuara për situatën.
Ky është vetëm një nga një seri anulimesh të shpeshta që Air Albania ka kryer ditët e fundit, teksa kompania ndodhet në krizë të thellë dhe me kapacitete të kufizuara operimi. Ndërkohë, problemi po merr përmasa edhe më të gjera pas konfirmimit të lajmit se Turkish Airlines, aksioneri më i madh i kompanisë, ka vendosur të shesë të gjitha aksionet e saj.
Kompania turke “Turkish Airlines” ka njoftuar zyrtarisht se do të shesë të gjitha aksionet e saj prej 49% në “Air Albania”, duke i dhënë fund partneritetit të nisur në vitin 2018 për ngritjen e linjës ajrore kombëtare të Shqipërisë. Lajmi është konfirmuar nga mediat turke, sipas të cilave bordi i drejtorëve të Turkish Airlines ka marrë vendimin për të hequr dorë nga ortakëria, ndërsa ka njoftuar se “zhvillimet e rëndësishme do t’u komunikohen investitorëve në vijim”.
Struktura aktuale aksionare e “Air Albania” është 49% Turkish Airlines; 41% MDN Investment, në pronësi të biznesmenit Sinan Idrizi dhe pjesa tjetër ALBcontrol, institucioni publik përgjegjës për menaxhimin e hapësirës ajrore shqiptare
Largimi i aksionerit kryesor pritet t’i japë një goditje të fortë kompanisë, e cila prej vitesh përballet me probleme financiare dhe mungesë transparence.
Që prej themelimit, “Air Albania” nuk ka publikuar asnjë pasqyrë financiare në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Për këtë arsye, gjendja reale financiare e kompanisë mbetet formalisht e panjohur për publikun.
Megjithatë, të dhënat e raportuara më herët nga Turkish Airlines tregojnë se Air Albania ka thelluar humbjet financiare, sidomos gjatë vitit 2023, duke akumuluar borxhe të konsiderueshme. Këto probleme financiare janë reflektuar edhe në operacionet e kompanisë, e cila ka shënuar periudha të shpeshta reduktimi të flotës, anulimesh dhe vonesash në fluturime.
Kriza e Air Albania është thelluar më tej pas kallëzimit të dorëzuar pak muaj më parë nga kompania amerikane GAT Aircraft and Engine Leasing Limited, e regjistruar në Florida. Sipas dokumenteve të depozituara, kompania amerikane akuzon Air Albania për shkelje të rëndë kontratash në lidhje me qiranë e dy avionëve Airbus A320-200, të marrë me qira në vitin 2023.
Dy avionët në fjalë – me numra regjistrimi ZA-ASM 36-76 dhe ZA-MMK 49-34 – janë subjekt i një çështjeje që pritet të ndiqet edhe në arbitrazh ndërkombëtar.
Aktualisht, Air Albania nuk zotëron asnjë avion të vetin. Fluturimet vazhdojnë të kryhen me mjete të marra borxh: një avion nga Fly2Sky, një nga Dan Air. Flota e reduktuar ka çuar në një rrjet minimal fluturimesh, i kufizuar vetëm në disa destinacione si Stambolli, Ankara, Bolonja, Milano dhe Verona.
Ndërkohë, punonjës të kompanisë kanë raportuar për vonesa të pagave, probleme serioze të likuiditetit dhe vështirësi operacionale që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin ditor të linjës ajrore.
Një tjetër detaj i pazakontë është se avionëve të përdorur kohët e fundit u janë hequr edhe logot e Air Albania, duke e lënë kompaninë pa identitet vizual në terren.
Largimi i Turkish Airlines pritet të përshpejtojë edhe më tej degradimin e kompanisë, në një kohë kur Air Albania po anulon fluturime, po humbet besimin e pasagjerëve dhe po përballet me akuza të shumta financiare dhe kontraktuale.
Pa flotë, pa kapital të mjaftueshëm, pa transparencë financiare dhe tani pa partnerin kryesor teknik e strategjik, e ardhmja e Air Albania mbetet më e pasigurt se kurrë.















