Shpenzimet e të huajve në Shqipëri gjatë periudhës Janar Shtator 2025 kanë arritur në rreth 4.42 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur shpenzimet ishin 3.86 miliardë euro, rritja është e fortë dhe kap mbi 560 milionë euro vetëm në nëntë muaj.
Të dhënat tregojnë se bumi turistik që ka karakterizuar Shqipërinë dy vitet e fundit vazhdon me ritme të shpejta, duke e konsoliduar sektorin si një nga motorët kryesorë të ekonomisë.
Sipas INSTAT, gjatë Janar Shtator në vend kanë hyrë 10.2 milionë shtetas të huaj. Nga kombinimi i shifrave rezulton se shpenzimi mesatar për turist është rritur në 431 euro, nga 398 euro që ishte një vit më parë.
Edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit kanë ndjekur trend rritës, duke arritur në 2.30 miliardë euro në 2025, nga 2.09 miliardë euro në 2024. Rritja prej rreth 19.6 për qind tregon shtim të ndjeshëm të udhëtimeve dhe konsumit jashtë vendit.
Bilanci neto midis shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit ka arritur në 2.11 miliardë euro për vitin 2025, duke shënuar një rekord të ri historik. Në vitin 2024 ky bilanc ishte 1.77 miliardë euro, çka tregon përmirësim të dukshëm dhe rritje të përfitimeve neto nga turizmi.
Nëse krahasohen të dhënat që prej vitit 2008, rritja është mbi gjashtëfish. Nga 0.86 miliardë euro shpenzime të turistëve të huaj atë vit, Shqipëria ka arritur sot mbi 4.4 miliardë euro, duke e vendosur turizmin në qendër të zhvillimit ekonomik të vendit. /skyweb.al















