Të jesh futbollist dhe të ndjesh adrenalinën e një kërcimi drejt topit që vjen me shpejtësi, ta godasësh me kokë dhe të shënosh për ekipin, është një nga ndjesitë më të forta të lojës, shkruan BBC.
Por, pas këtij momenti spektakolar fshihet një realitet shqetësues. Provat shkencore po shtohen se goditjet e përsëritura me kokë mund të shkaktojnë dëmtime të trurit që shfaqen dekada më vonë, në formën e Alzheimerit, Parkinsonit dhe sëmundjes së neuroneve motorike.
Simptomat përfshinin ecje të paqëndrueshme dhe konfuzion mendor dhe ishin më të zakonshme te boksierët që merrnin shumë goditje në kokë. Në disa raste, kjo gjendje përparonte deri në demencë, e cila më vonë u klasifikua si “dementia pugilistica”, një formë demence që shfaqet te boksierët pas dëmtimeve të përsëritura të kokës.

Fillimisht u mendua se problemi ishte i kufizuar vetëm te boksi. Por, dekadat e fundit e kanë rrëzuar këtë ide.
Në vitin 2002, ish-futbollisti i West Bromwich Albion dhe i përfaqësueses angleze, Jeff Astle, vdiq në moshën 59-vjeçare pasi ishte diagnostikuar me demencë të hershme.
Në SHBA, ish-lojtari i futbollit amerikan Mike Webster vdiq papritur në moshën 50-vjeçare, pasi kishte shfaqur rënie njohëse dhe simptoma të ngjashme me Parkinsonin.
Në të dy rastet, ekzaminimi i trurit tregoi se shkaku ishte encefalopatia traumatike kronike (CTE), term modern që ka zëvendësuar “dementia pugilistica”.
Ka pasur edhe raste të tjera të bujshme.
Më 17 shkurt 2011, ish-lojtari i Chicago Bears, David Duerson, humbi jetën pas një periudhe depresioni. Analizat e mëvonshme të trurit të tij konfirmuan gjithashtu praninë e CTE-së.
“CTE është një formë shumë specifike e patologjisë degjenerative të trurit, sepse e shohim vetëm te njerëzit me histori dëmtimesh ose goditjesh në kokë”, shpjegon Willie Stewart, neuropatolog konsulent në Universitetin e Glasgow-it.
Sipas tij, kjo gjendje dallohet edhe nën mikroskop, pasi shfaq një model karakteristik depozitimesh anormale të proteinës tau në tru.
“Mënyra më e mirë për të kuptuar nëse dikush mund të ketë CTE është t’i bësh pyetjen: ‘A ke luajtur ndonjëherë futboll?’ ose ‘A ke luajtur rugby?’ Nëse je futbollist profesionist dhe ke demencë, shanset që në trurin tënd të ketë CTE janë shumë të larta”, thekson Stewart.
Që nga viti 2008, Ann McKee, profesore e neurologjisë dhe patologjisë në Universitetin e Bostonit, ka ftuar ish-sportistë të marrin pjesë në studime kërkimore për të kuptuar më mirë diagnostikimin dhe trajtimin e CTE-së.
Në vitin 2023, ajo dhe ekipi i saj analizuan trurin e dhuruar të 376 ish-lojtarëve të NFL-së dhe zbuluan se 91.7% e tyre kishin CTE. Edhe pse ky numër nuk përfaqëson domosdoshmërisht rrezikun real në popullatën e përgjithshme të sportistëve (pasi ata që dyshojnë se kanë sëmundjen janë më të prirur të dhurojnë trurin për studim), për krahasim, prevalenca e CTE-së në popullatën e përgjithshme mendohet të jetë më pak se 1%.
McKee ka diagnostikuar CTE edhe te ish-lojtarë bejsbolli, çiklistë dhe hokeistë. Në të gjitha rastet, elementi i përbashkët ishte ekspozimi ndaj goditjeve të përsëritura në kokë.
Por problemi nuk kufizohet vetëm te CTE. Goditja e topit me kokë lidhet edhe me sëmundje të tjera degjenerative të trurit.
Në kuadër të studimit “Football’s Influence on Lifelong Health and Dementia Risk” (FIELD), Stewart dhe ekipi i tij analizuan të dhënat shëndetësore të afro 8 mijë ish-futbollistëve profesionistë skocezë dhe i krahasuan me 23 mijë persona nga popullata e përgjithshme.
Rezultatet ishin alarmante.
Ish-futbollistët profesionistë kishin pesë herë më shumë gjasa të zhvillonin Alzheimer, katër herë më shumë rrezik për sëmundjen e neuroneve motorë dhe dy herë më shumë gjasa për Parkinsonin, krahasuar me njerëzit e së njëjtës moshë në popullatën e përgjithshme.
Në total, rreziku i vdekjes nga sëmundjet neurodegjenerative ishte 3.5 herë më i lartë.
“Rreziku është më i lartë në pozicionet ku shohim më shumë goditje me kokë”, shpjegon Stewart. “Mbrojtësit janë shumë më të rrezikuar, ndërsa portierët kanë pothuajse të njëjtin rrezik si popullata e përgjithshme.”
Studimet tregojnë gjithashtu se sa më e gjatë të jetë karriera profesionale, aq më i lartë është rreziku nga dyfishimi i rrezikut për karrierat më të shkurtra, deri në pesëfishim për ato më të gjata. Edhe ish-lojtarët të rugby union paraqesin rrezik të shtuar.
Por çfarë e bën konkretisht goditjen e topit me kokë kaq të dëmshme për trurin?
Sipas profesor Michael Lipton nga Universiteti Columbia, skanimet MRI te futbollistët e rinj amatorë tregojnë shenja të hershme dëmtimi, veçanërisht në zonën orbitofrontale të trurit, pjesa që ndodhet mbi zgavrat e syve.
Kjo zonë, e pasur me lëndë të bardhë, është veçanërisht e ndjeshme ndaj forcave të përshpejtimit të papritur.
“Truri është jashtëzakonisht i butë, pothuajse si xhelatinë”, shpjegon Lipton. “Kur goditet, ai shtypet, rrotullohet dhe deformohet, duke tendosur fijet nervore (aksonet) dhe duke prishur lidhjet mes tyre.”
Studimet tregojnë se dëmtimi më i madh ndodh në kufirin mes lëndës së bardhë dhe asaj gri, pasi ato kanë dendësi të ndryshme dhe lëvizin me shpejtësi të ndryshme gjatë goditjes. Kjo krijon forca prerëse që dëmtojnë strukturën e trurit.
Megjithatë, jo të gjithë ata që godasin topin me kokë do të zhvillojnë domosdoshmërisht sëmundje neurodegjenerative.
Faktorë si gjenetika, stili i jetesës dhe numri total i goditjeve gjatë karrierës luajnë rol vendimtar.
Një nga hipotezat kryesore është se goditjet e përsëritura dëmtojnë enët e gjakut në tru ose nxisin një proces inflamator kronik që, me kalimin e kohës, çon në sëmundje.
Çfarë mund të bëhet për të mbrojtur sportistët?
Teknologjia është një aleat i rëndësishëm. Për shembull, studiues në Universitetin Stanford po zhvillojnë helmeta për futbollin amerikan me amortizues të lëngshëm, që reduktojnë ndikimin në kokë me rreth 30%. Në Mbretërinë e Bashkuar, si rezultat i këtyre studimeve, goditja e topit me kokë është hequr nga futbolli i moshave të reja dhe është kufizuar ndjeshëm në stërvitje.
“Në karrierën e tyre, futbollistët mund të kenë goditur topin me kokë rreth 70 mijë herë, por vetëm disa mijëra prej tyre ndodhin gjatë ndeshjeve”, thotë Stewart. “Pjesa tjetër ndodh në stërvitje dhe pikërisht aty mund të ndërhyjmë.”
Në fund, parandalimi mbetet strategjia më e mirë. “Nëse thjesht do të ndalonim së godituri kokën me objekte, rreziku do të binte në zero. Por, në praktikë, kjo është një betejë e vështirë”, tha Stewart.
















