Plani sektorial i ndërtimit i cili ka nisur të vendoset në zbatim nga administrata tatimore, synon uljen e informalitetit dhe rritjen e transparencës në sektor si dhe nxitjen e përmbushjes vullnetare të detyrimeve.
Për të hartuar dhe implementuar planin, u morën në shqyrtim 8,784 tatimpagues aktiv në këtë sektor, nga të cilët 51% e tatimpaguesve kanë formën e organizimit shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. 47% e tyre janë të vendosura në Tiranë, 14 % në Durrës dhe pjesa tjetër e shpërndarë në qarqet e tjera.
Në total sektori punëson 64,572 individë, prej të cilëve 25% përfshihen tek fasha e pagës 40,001 – 50,000 lekë dhe vetëm 7% kanë paga mbi 120 mijë lekë.
Në këtë kuadër, Administrata Tatimore fton dhe nxit të gjithë tatimpaguesit e këtij sektori që të përmbushin me korrektësi dhe në kohë detyrimet e tyre ligjore, duke treguar konkretisht se cilat do të janë pikat për të cilat do të kontrollohen dhe do të penalizohen nëse kapen në shkelje.
Konkretisht kompanive u kërkohet të përmbushin detyrimin për deklarimin e çdo punonjësi të punësuar, në përputhje me legjislacionin tatimor dhe atë të sigurimeve shoqërore; Deklarimin real të pagave, bazuar në profesionin e ushtruar, kualifikimin, përvojën dhe kushtet reale të tregut të punës; Lëshimin e faturave të fiskalizuara me NIVF/NSLF për çdo shitje ose transaksion të kryer, përfshirë edhe parapagimet; Blerjen e çdo malli ose shërbimi vetëm me faturë të rregullt tatimore, duke garantuar gjurmueshmërinë e transaksioneve; Deklarimin e saktë, të plotë dhe të përditësuar të të dhënave në Regjistrin e Tatimpaguesit; Deklarimin e saktë të kontratave të qiramarrjes së ambienteve ku ushtrohet aktiviteti ekonomik; Përdorimin vetëm të softuerëve të certifikuar për fiskalizim, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.
Administrata Tatimore bën me dije se disponon dhe analizon një gamë të gjerë të dhënash të siguruara nga burime të ndryshme, përfshirë: të dhëna të marra nga palë të treta publike dhe private; të dhëna të përftuara nga sistemi CPCM (sistemi elektronik i faturimit); vetëdeklarimet e tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e ndërtimit ose në zinxhirin e tij të furnizimit të cilat përdoren për të kryer analiza të thelluara të riskut, për të identifikuar mospërputhje, devijime nga treguesit referencë dhe sjellje që mund të sinjalizojnë shmangie tatimore.
Mosrespektimi i këtyre detyrimeve, si dhe çdo sjellje tjetër që synon shmangien tatimore, e konstatuar përmes analizave të riskut, e kategorizon tatimpaguesin si subjekt me risk.
Në këto raste, Administrata Tatimore ndërmerr masa verifikuese dhe monitoruese, në përputhje me kompetencat ligjore, të cilat mund të përfshijnë kontrolle , monitorime , hetime tatimore dhe masa administrative sipas parashikimeve ligjore. /tvscan.al















