Përfaqësuesja e Qeverisë, Irma Qosja, paraqiti në mënyrë të përmbledhur qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama dhe Këshillit të Ministrave lidhur me çështjen që po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka të bëjë me pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Qosja deklaroi se vendimet e marra nga GJKKO janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo theksoi se vendimet nr. 119 dhe 120, që lidhen me vendosjen dhe vijimin e masës ndaluese për pezullimin e ushtrimit të detyrës së zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, bien ndesh me Kushtetutën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, sipas saj, qeveria kërkon shfuqizimin e pjesshëm të këtyre vendimeve dhe pranimin e kërkesës sipas objektit.
Ajo sqaroi se thelbi i kërkesës lidhet me raportin mes tre pushteteve dhe me pyetjen nëse një gjykatë penale ka të drejtë të pezullojë një ministër nga detyra, njësoj si çdo zyrtar tjetër i administratës ekzekutive. Sipas vlerësimit të qeverisë, një gjë e tillë nuk është e pranueshme.
Qosja iu përgjigj edhe pretendimeve të GJKKO-së dhe SPAK-ut, të cilët argumentojnë se kërkesa nuk mund të ngrihet për shkak se nuk janë shteruar të gjitha shkallët e gjykimit, mungon legjitimimi i kërkuesit dhe se Kryeministri apo Këshilli i Ministrave nuk janë palë në procesin penal. Ajo theksoi se kjo nuk është një ankim kushtetues individual dhe se nuk ka të bëjë me masën e sigurimit, procedimin penal apo të drejtat e të pandehurit, por me një çështje thelbësore kushtetuese që lidhet me balancën e pushteteve.
Sipas saj, pezullimi i ministrit nga detyra ka sjellë pasoja direkte në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, duke ndikuar konkretisht në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Qosja nënvizoi se ky veprim ka pezulluar jo vetëm vendimmarrjen e ministrit përkatës, por edhe procesin vendimmarrës të vetë qeverisë, pasi ministri i pezulluar nuk mund të propozojë projekt-akte në kompetencën e tij.
Lidhur me argumentin se kryeministri mund të zëvendësojë ministrin në propozimin e akteve, Qosja tha se ky qëndrim nuk është i vlefshëm, pasi kryeministri ka të drejtë të propozojë vetëm akte që nuk i përkasin asnjë ministrie tjetër ose që i janë caktuar shprehimisht me ligj.
Ajo shtoi se Këshilli i Ministrave ndodhet në një situatë ku detyrohet të zëvendësojë një anëtar të tij për të garantuar funksionimin normal të qeverisë. Sipas saj, pezullimi e vendos kryeministrin përballë nevojës për të propozuar shkarkimin e ministrit aktual dhe emërimin e një ministri të ri, çka tregon se masa e sigurimit penal ka pasoja të drejtpërdrejta në veprimtarinë e ekzekutivit. Nëse këto pasoja janë apo jo të lejueshme nga Kushtetuta, Qosja theksoi se kjo është një çështje që duhet të vlerësohet në themel nga Gjykata Kushtetuese.
















