Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi sot në Davos kartën themeluese të Bordit të Paqes, vetëm pak çaste pasi deklaroi se ky institucion do të funksionojë “në koordinim” me Kombet e Bashkuara.
Gjatë ceremonisë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u shpreh: “Urime, presidenti Trump, karta tani ka hyrë në fuqi dhe Bordi i Paqes është tashmë një organizatë zyrtare ndërkombëtare”.
Nga ana e tij, Trump theksoi rëndësinë e këtij organi, duke deklaruar se “ky bord ka potencialin të bëhet një nga organizmat më të rëndësishëm të krijuar ndonjëherë”. Ai do të ketë edhe rolin e kryetarit të bordit.
Sipas strukturës së parashikuar, vendet që kontribuojnë me një miliard dollarë do të përfitojnë anëtarësim të përhershëm, ndërsa shtetet e tjera do të përfshihen për mandate të kufizuara kohore.
Deri tani, vetëm pak aleatë perëndimorë të Uashingtonit i janë përgjigjur pozitivisht ftesës, me Hungarinë që mbetet e vetmja anëtare e Bashkimit Evropian që ka firmosur. Ndërkohë, Shqipëria, Argjentina, Bjellorusia, Egjipti, Izraeli, Maroku, Pakistani, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Vietnami janë mes vendeve që kanë pranuar të marrin pjesë.
Edhe Rusia dhe Kina, dy nga rivalët kryesorë të SHBA-së, janë ftuar për t’u bashkuar me bordin, por deri më tani nuk kanë dhënë angazhime konkrete.
Fillimisht, Trump e kishte ideuar Bordin e Paqes si një mekanizëm për mbikëqyrjen e rindërtimit të Rripit të Gazës pas konfliktit dyvjeçar mes Izraelit dhe grupit militant Hamas. Më vonë, ai sugjeroi që roli i këtij organi mund të zgjerohet për të adresuar konflikte dhe kriza në nivel global. I pyetur në Davos të mërkurën nëse ky bord mund të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, Trump u përgjigj se “është e mundur”. /skyweb.al















