Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë ndryshime në vendimin për pagat e punonjësve të njësive të vetëqeverisjes vendore, duke rritur kufirin minimal të pagës dhe duke aplikuar një indeksim të përgjithshëm për vitin 2026.
Sipas vendimit të ri të Këshillit të Ministrave, paga minimale bazë për punonjësit administrativë të bashkive do të jetë 50.000 lekë në muaj, ndërsa kufiri maksimal arrin në 57.000 lekë. Kjo përbën një rritje të nivelit minimal krahasuar me përcaktimet e mëparshme të vitit 2023.
Vendimi parashikon një indeksim prej 2.5% për të përballuar efektet e inflacionit, si dhe rritje page për kategori të caktuara.
Rritje së bashku me indeksimin do të përfitojnë klasat e pagave nga III-1 deri në IV-4, ku përfshihen specialistët dhe nivelet ekzekutive të mesme dhe të ulëta, si dhe punonjësit administrativë.
Ndërsa klasat e larta drejtuese, nga I-2 deri në II-2, që përfshijnë drejtorë dhe përgjegjës sektorësh, do të përfitojnë vetëm indeksimin prej 2.5%, pa rritje shtesë.
Efektet financiare të këtij vendimi do të nisin të zbatohen nga viti 2026. Financimi do të mbulohet përmes transfertës së pakushtëzuar nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor, si dhe nga të ardhurat që vetë bashkitë sigurojnë.
Me këtë vendim, qeveria synon të përmirësojë nivelin e pagave në administratën vendore dhe të kompensojë ndikimin e inflacionit mbi të ardhurat e punonjësve./skyweb.al















