Çmimi i naftës bruto u rrit me mbi 2% menjëherë pas nisjes së sulmeve në Iran. Nafta e tipit Brent Crude arriti rreth 73 dollarë për fuçi këtë të shtunë, ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë se ekziston rreziku që çmimi të shkojë në 80 dollarë për fuçi nëse përshkallëzimi i sulmeve vazhdon.
Në tregjet globale të naftës mbizotëron pasiguria, për shkak të frikës nga kufizime të mundshme të furnizimit. Irani ka paralajmëruar më herët se mund të mbyllë Ngushtica e Hormuzit në rast se sulmohet – një veprim që do të trondiste rëndë tregtinë ndërkombëtare të naftës dhe do të nxiste rritje të fortë të çmimeve. Kjo ngushticë përbën një korridor kyç për furnizimin global me naftë, pasi përmes saj kalon rreth 20% e konsumit ditor botëror. Një bllokim i saj jo vetëm që do të rriste çmimet e karburanteve, por do të godiste ndjeshëm ekonominë globale.
Sipas analistëve të tregut, nëse Irani ndërhyn në qarkullimin e naftës përmes Hormuzit, çmimi i Brent mund të ngjitet në nivele 100–130 dollarë për fuçi në skenarin më ekstrem.
Ndërkohë, sulmi i koordinuar i SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit ka shkaktuar luhatje edhe në tregun e aseteve virtuale. Bitcoin zbriti në rreth 60 mijë dollarë, duke humbur menjëherë rreth 5% të vlerës së tij./skyweb.al
















