Tre avionë luftarakë amerikanë F-15E Strike Eagle janë rrëzuar gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit gjatë operacioneve luftarake në rajon, në një incident që autoritetet amerikane e kanë cilësuar si zjarr miqësor.
Komanda Qendrore e SHBA konfirmoi ngjarjen, duke sqaruar se avionët u goditën në një moment kur hapësira ajrore ishte e mbushur me avionë, raketa dhe dronë në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit. Sipas njoftimit zyrtar, të gjashtë anëtarët e ekuipazheve arritën të katapultohen në kohë dhe janë rikuperuar në gjendje të qëndrueshme.
Autoritetet kuvajtiane kanë pranuar gabimin dhe kanë nisur menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa një hetim i përbashkët SHBA-Kuvajt është në zhvillim për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.
Ngjarja ndodhi në një moment kur luftimet në rajon janë intensifikuar, me sulme të ndërsjella dhe rritje të tensioneve mes palëve.
Zhvillimi i fundit shton presionin mbi situatën e sigurisë dhe nxjerr në pah rrezikun e operacioneve ajrore në një hapësirë të mbingarkuar dhe në kushte lufte me intensitet të lartë. /skyweb.al
















