Përshkallëzimi i konfliktit në Gjirin Persik ka goditur drejtpërdrejt tregjet globale të energjisë, pasi kompania shtetërore QatarEnergy ka shpallur gjendjen e “forcës madhore” pas ndërprerjes së prodhimit të gazit natyror të lëngshëm.
Vendimi u bë publik dy ditë pasi dy prej impianteve të gazit natyror të lëngshëm në Katar u sulmuan, duke detyruar kompaninë të ndalojë përkohësisht prodhimin. Klauzola e “forcës madhore” përdoret kur një kompani nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet kontraktuale për shkak të rrethanave jashtë kontrollit të saj.
Ndërkohë situata e sigurisë në rajon mbetet e tensionuar në ditën e pestë të konfliktit që nisi pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.
Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se në orët e para të mëngjesit të së mërkurës mbrojtja ajrore dhe detare e vendit interceptoi 10 dronë dhe dy raketa lundruese që, sipas autoriteteve, ishin lëshuar nga territori iranian.
Qeveria e Katarit i dënoi sulmet, duke i cilësuar ato si një shkelje të rëndë të sovranitetit të vendit. Gjatë ditës, mbi kryeqytetin Doha u vunë re helikopterë luftarakë që patrullonin hapësirën ajrore, ndërsa avionë të forcave ajrore amerikane dhe britanike po mbajnë një perimetër të përforcuar sigurie rreth qytetit.
Në të njëjtën kohë, autoritetet e sigurisë kanë ndërmarrë operacione kundër rrjeteve të dyshuara të spiunazhit. Agjencia shtetërore e lajmeve e Katarit raportoi se janë arrestuar 10 persona të dyshuar si pjesë e dy qelizave të fjetura të lidhura me Gardën Revolucionare iraniane.
Sipas autoriteteve, shtatë prej të arrestuarve dyshohet se kanë spiunuar infrastrukturën ushtarake strategjike, ndërsa tre të tjerë akuzohen se kishin për detyrë kryerjen e akteve sabotazhi.
Për shkak të situatës së sigurisë, hapësira ajrore e Katarit mbetet e mbyllur. Kompania Qatar Airways ka njoftuar se përditësimi i radhës për pasagjerët e bllokuar pritet të bëhet të premten në mëngjes. ./skyweb.al
















