Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të ruajë edhe për vitin 2026 tarifat e veçanta të energjisë elektrike për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, duke mbajtur të pandryshuara çmimet që u aplikuan edhe gjatë vitit të kaluar.
Sipas vendimit të miratuar, shoqëritë e ujësjellësve që furnizohen në tensionin 35 kV do të paguajnë energjinë elektrike me tarifën 9.33 lekë për kilovat/orë. Ndërkohë për kompanitë që janë të lidhura në tensionet 20, 10 dhe 6 kV çmimi do të jetë 11.77 lekë për kilovat/orë.
Tarifat preferenciale për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve u vendosën për herë të parë në vitin 2023, pas një kërkese të bërë nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Qëllimi ishte lehtësimi financiar i shoqërive të ujësjellësve, të cilat përballen me kosto të larta energjie dhe vështirësi në mbulimin e shpenzimeve operative.
Energjia elektrike mbetet një nga zërat më të rëndësishëm të shpenzimeve për këtë sektor. Sipas të dhënave zyrtare, ajo përbën rreth 23 për qind të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes së shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve.
Megjithatë situata financiare e shumë prej këtyre ndërmarrjeve mbetet e vështirë. Nga 17 shoqëri në total, 12 prej tyre nuk arrijnë të mbulojnë plotësisht kostot e energjisë që konsumojnë. Si pasojë, një pjesë e mirë e tyre mbështeten në subvencionet e qeverisë ose shtyjnë pagesat ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Kjo ka bërë që borxhi i akumuluar i sektorit të vijojë të rritet. Të dhënat më të fundit tregojnë se deri në gusht të vitit 2025 detyrimet e prapambetura të ujësjellësve ndaj sistemit energjetik kanë arritur në rreth 20.42 miliardë lekë, nga 19.54 miliardë lekë që ishin në fund të vitit 2024. /skyweb.al















