Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që përcakton procedurat e detajuara për kthimin e garancive, huave dhe nënhuave, si dhe rregullat për marrjen në pronësi, administrimin dhe shitjen e pasurive të lëna si garanci nga huamarrësit.
Vendimi synon të vendosë parime dhe rregulla të qarta për menaxhimin dhe rikuperimin e garancive shtetërore të dhëna për huat dhe nënhuat, si dhe për kthimin e kredive shtetërore të papaguara që janë dhënë nga bankat e nivelit të dytë me kapital plotësisht shtetëror përpara procesit të privatizimit.
Sipas vendimit, institucioni përgjegjës për nisjen e procedurave të rikuperimit të detyrimeve do të jetë Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera. Kjo agjenci do të veprojë pasi të marrë njoftimin nga Ministria e Financave për pagesën e kryer të garancisë shtetërore në favor të institucionit huadhënës.
Agjencia do të informojë huamarrësit për detyrimet e papaguara dhe do të monitorojë situatën e tyre financiare. Në rast se konstatohet mospagim i detyrimeve, mund të ndërmerren masa si bllokimi i llogarive bankare, sekuestrimi i shumave dhe ndjekja e procedurave përmbarimore deri në shlyerjen e plotë të borxhit.
Vendimi përcakton gjithashtu rregullat për menaxhimin e garancive sovrane, duke përfshirë raportimin periodik nga bankat e nivelit të dytë dhe verifikimin e kërkesave për pagesë nga agjencia përkatëse përpara se pagesa të autorizohet nga Ministria e Financave.
Në rast se detyrimet nuk shlyhen, pasuritë e lëna si garanci – ose edhe pasuri të tjera të debitorëve – mund të kalojnë në pronësi të agjencisë përmes procedurave përmbarimore. Këto pasuri do të administrohen nga agjencia dhe më pas do të shiten përmes ankandeve publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shitjen e pronës shtetërore.
Të ardhurat e përfituara nga shitja e këtyre pasurive do të derdhen në buxhetin e shtetit.
Po ashtu, vendimi shfuqizon vendimin nr. 681, datë 11 qershor 2009, të Këshilli i Ministrave për trajtimin e kredive të transferuara nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror në Agjencia e Trajtimit të Kredive.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Financave dhe Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera, ndërsa ai hyn në fuqi pas botimit në Fletores Zyrtare te Republikës së Shqipërisë.
















