Punimet për ndërtimin e Korridorit VIII po vijojnë në pjesën më të madhe të gjatësisë së tij, ndërsa ndërhyrjet janë pezulluar vetëm në një segment të shkurtër në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, ku një rrëshqitje toke ka detyruar ndërtimin e një aksi paralel.
Gjatë një inspektimi në terren, Kryeministri Edi Rama u njoh me ecurinë e punimeve dhe diskutoi me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse dhe banorë të zonës për situatën e krijuar në këtë segment të rrugës. Sipas tij, Korridori VIII është një projekt me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe për rajonin, pasi do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë transporti nga lindja drejt perëndimit.
Rama theksoi se për një kohë të gjatë ky korridor ishte konsideruar strategjik nga Shqipëria, por nuk ishte përfshirë në rrjetin europian të korridoreve të transportit. Sipas tij, përfshirja e tij në këtë rrjet u arrit pas përpjekjeve diplomatike të qeverisë shqiptare dhe u formalizua gjatë samitit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Tiranë.
“Futja e Korridorit VIII në rrjetin europian të korridoreve vulosi rëndësinë e tij strategjike. Së bashku me portin e ri të Durrësit, ai krijon një aks të ri për lëvizjen e mallrave dhe të njerëzve nga lindja drejt perëndimit, më të shpejtë dhe me kosto më të ulët,” deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se ky korridor është përfshirë gjithashtu edhe në rrjetin e lëvizjes së forcave të NATO-s, çka rrit më tej rëndësinë strategjike të tij. Ai theksoi se ndërtimi i një krahu ushtarak në portin e ri të Durrësit do ta rrisë edhe më shumë vlerën e korridorit dhe ndikimin ekonomik që ai do të ketë në zonat përreth.
Nga ana tjetër, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se punimet për projektin po zhvillohen normalisht në pothuajse të gjithë gjatësinë e tij.
Sipas tij, Korridori VIII ka një gjatësi prej rreth 33 kilometrash të kontraktuar dhe është i ndarë në tetë faza ndërtimi, ndërsa në të gjitha segmentet punimet po vijojnë pa ndërprerje.
“E vetmja ndalesë është në këtë segment prej rreth 150 metrash në zonën ‘Arrat e Gurrës’. Punimet do të rifillojnë pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar të ndërtojë një rrugë sekondare rreth 1.3 kilometra që do të shmangë zonën e rrëshqitjes,” u shpreh Karakaçi.
Ai shtoi se projekti është një nga veprat më të mëdha infrastrukturore në vend dhe pritet të ndikojë në rritjen e ndërlidhjes ekonomike të Shqipërisë me vendet e tjera të Ballkanit.
Autoritetet parashikojnë që brenda një viti të përfundojnë pjesa më e madhe e segmenteve të korridorit, me përjashtim të zonës ku po ndërtohet devijimi i ri i rrugës.
Rrëshqitja e tokës në këtë zonë kishte shkaktuar më herët bllokimin për rreth 10 ditë të aksit Librazhd-Pogradec. Pas ndërhyrjes së Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe ndërtimit të një rruge provizore në gjurmën e korridorit, qarkullimi i automjeteve u rikthye sërish në këtë segment./skyweb.al
















