Shumica parlamentare ka paraqitur raportin në Këshillin e Mandateve lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke argumentuar se akuza për të cilën po hetohet nuk përbën një vepër korruptive.
Raporti u prezantua nga deputeti i Partisë Socialiste dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili deklaroi se vepra penale “shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike” është një shkelje me natyrë administrativo-penale dhe jo një vepër tipike korrupsioni.
Sipas Manjës, narrativa e ngritur nga Prokuroria e Posaçme për rrezikun e prishjes së provave apo të arratisjes së deputetes është hipotetike, pasi Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive dhe aktualisht është vetëm deputete.
Ai theksoi se për këtë arsye nuk ekziston rreziku që ajo të ndikojë në hetim përmes përdorimit të funksioneve shtetërore që mbante më parë.
Gjatë paraqitjes së raportit, Manja përmendi edhe faktin se kallëzimet që kanë çuar në nisjen e hetimeve janë bërë nga figura të opozitës.
Sipas tij, kallëzimi i parë është depozituar në gusht të vitit 2024 nga ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa një kallëzim i dytë është bërë në shtator të po atij viti nga deputeti Gazment Bardhi.
Manja theksoi se në vitin 2025 këto dy procedime janë bashkuar në një dosje të vetme penale, mbi bazën e së cilës po zhvillohen hetimet nga SPAK.
Ai shtoi gjithashtu se periudha kur janë bërë kallëzimet për këtë çështje përkon me një moment parazgjedhor, duke nënvizuar se akuzat lidhen me një vepër që sipas interpretimit të shumicës nuk klasifikohet si korrupsion, por si shkelje me karakter administrativ dhe penal në procedurat e tenderave publikë. /skyweb.al















