Banorët e qyteteve kryesore të vendit, veçanërisht në Tiranë dhe në Durrës, po kalojnë çdo ditë gjithnjë e më shumë kohë në trafik, duke shpenzuar jo vetëm orë të tëra të ditës, por edhe më shumë karburant.
Një sondazh i zhvilluar nga Monitor gjatë vitit të kaluar tregoi se bllokimet në rrugë janë bërë një realitet i përditshëm për shumicën e drejtuesve të automjeteve.
Rreth 70% e përdoruesve të makinave deklaruan se shpenzojnë më shumë se një orë në trafik çdo ditë.
Nga këta, 41% thanë se qëndrojnë në rrugë nga një deri në dy orë në ditë, ndërsa 29% raportuan se kalojnë më shumë se dy orë në automjet, shpesh në trafik pothuajse të palëvizshëm.
Rritja e numrit të automjeteve është një nga arsyet kryesore të kësaj situate.
Të dhënat tregojnë se bashkia me përqendrimin më të lartë të automjeteve për banor është Saranda.
Qyteti bregdetar me rreth 22.6 mijë banorë ka të regjistruara 16.2 mijë automjete, ose rreth 716 mjete për çdo 1000 banorë.
Ky nivel është rreth 61% më i lartë se mesatarja kombëtare.
Gjatë sezonit veror, kur qyteti mbushet me turistë dhe rrugët janë relativisht të ngushta, trafiku shpesh paralizohet.
Në vendin e dytë renditet Durrësi, me 584 automjete për 1000 banorë, rreth 32% më shumë se mesatarja kombëtare.
Në këtë qytet trafiku është i rënduar gjatë gjithë vitit, ndërsa mungesa e hapësirave të parkimit mbetet një problem i vazhdueshëm, përveç zonës hyrëse ku është ndërtuar një projekt i ri parkimi nga bashkia.
Pas Durrësit vjen Kurbini me 557 mjete për 1000 banorë, ndërsa Vlora renditet menjëherë pas tij me 551 automjete për 1000 banorë.
Tirana, megjithëse është qyteti me densitetin më të madh të popullsisë dhe qendra kryesore ekonomike e vendit, renditet në vendin e pestë me 533 automjete për 1000 banorë.
Praktikisht kjo do të thotë se për çdo dy banorë ka një automjet.
Në shumë raste, lëvizja në këmbë në kryeqytet rezulton më e shpejtë sesa udhëtimi me makinë nëpër rrugët e mbingarkuara./skyweb.al
















