Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rritur ndjeshëm përdorimin e përgjimeve elektronike gjatë vitit 2025, ndërsa paralelisht ka investuar miliona euro për modernizimin e teknologjisë së survejimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të hetimit.
Të dhënat dalin nga raporti vjetor i institucionit për vitin 2025, i cili është dorëzuar në Kuvend dhe pasqyron mënyrën se si përgjimet janë kthyer në një nga instrumentet kryesore të hetimit penal.
Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar përgjimet janë përdorur në 186 procedime penale, një rritje prej rreth 14 për qind krahasuar me vitin 2024. Në total janë interceptuar 3004 pajisje fundore, kryesisht numra telefonikë të personave nën hetim.
Për realizimin e këtyre operacioneve janë ekzekutuar 1738 vendime të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nga këto, 373 vendime kanë qenë për lejimin e përgjimeve, 235 për vleftësimin e tyre dhe 1130 për zgjatjen e afateve të interceptimit.
Paralelisht me vendimet e gjykatës, prokurorët e SPAK kanë lëshuar edhe 252 autorizime për lejimin e përgjimeve në kuadër të hetimeve që zhvillon institucioni.
Interceptimet kryhen përmes Bërthamës Komanduese Elektronike, një strukturë teknike e specializuar që menaxhon procesin e përgjimeve dhe analizën e të dhënave që dalin nga komunikimet elektronike të personave nën hetim.
Sipas raportit, nga të dhënat e mbledhura gjatë këtyre përgjimeve në disa raste janë zbuluar elementë të rinj kriminalë, çka ka çuar në regjistrimin e procedimeve të reja penale me iniciativën e vetë SPAK.
Raporti evidenton gjithashtu një zgjerim të rolit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. BKH ka ngritur Seksionin e Përgjimit Parandalues, një strukturë e re që synon të forcojë kapacitetet e monitorimit dhe hetimit të aktiviteteve kriminale. Gjatë vitit 2026 pritet edhe rekrutimi i hetuesve të rinj për këtë njësi.
Paralelisht me zgjerimin e strukturave, SPAK ka investuar edhe në teknologjinë e survejimit. Institucioni ka siguruar financim prej rreth 5.1 milionë euro për dy projekte kryesore teknologjike.
Njëri prej tyre lidhet me prokurimin e pajisjes IMSI Catcher me vlerë rreth 1.8 milionë euro, e cila përdoret për identifikimin dhe interceptimin e komunikimeve të telefonisë mobile. Projekti i dytë parashikon modernizimin e sistemit të përgjimit me një investim prej rreth 3.3 milionë euro, që përfshin zgjerimin e kapaciteteve të ruajtjes së të dhënave dhe shtimin e moduleve për interceptimin e komunikimeve përmes internetit.
Për funksionimin e këtij sistemi është likuiduar gjatë vitit 2025 edhe një kontratë mirëmbajtjeje me vlerë rreth 29.7 milionë lekë me TVSH. Kontrata është klasifikuar si sekrete për shkak të natyrës së teknologjisë së përdorur dhe ndjeshmërisë së sistemit të përgjimeve.
Sipas raportit, përdorimi i interceptimeve elektronike po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në hetimet e SPAK, jo vetëm për dokumentimin e veprave penale në proces, por edhe për zbulimin e aktiviteteve të tjera kriminale gjatë zhvillimit të hetimeve. /skyweb.al















