Banorë të fshatrave Koçaj, Dragu dhe Kodra e Danit, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, u mblodhën sot para bashkisë për të kundërshtuar ndërtimin e një hidrocentrali (HEC).
Ata hynë në sallën ku po zhvillohej mbledhja e këshillit bashkiak, ku pritej të diskutohej dhënia e një parcele toke për ndërtimin e HEC-it. Megjithatë, sipas bashkisë, çështja nuk ishte pjesë e rendit të ditës, pasi nuk ishte miratuar më parë.
“U nisën tre-katër herë, jo malin, jo drutë… Tani ka shkuar puna aty ku nuk mbahet më, duke tharë tre katunde. Është përrua, por do t’i mbledhë të gjithë ujërat në një vend dhe të bëhet i pasur ai i zoti që do ta marrë”, u shpreh për Citizens.al, Elez Dedja, banor i zonës.

Pasi pa që banorët hynë në sallë, kryetarja e bashkisë, Festime Mjeshtri, u largua nga mbledhja dhe u fut në zyrën e saj, e ndjekur nga banorët. Më pas ajo pranoi të takonte një përfaqësi të tyre.
“Po na e bënë centralin atje për të na marrë ujin, për të na marrë shpirtin, për të na marrë gjithçka”, u shpreh Mirgjela Mera, një tjetër banore, teksa priste jashtë derës së kryebashkiakes së bashku me dhjetëra banorë të tjerë. Sipas saj, nëse uji u merret, ata nuk kanë më mundësi të jetojnë në fshat.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ahmet Bushi, gjithashtu banor, i cili theksoi se ata do të bëjnë çmos për të mos e lejuar ndërtimin e hidrocentralit.
“Pa ujë, pa drita, pa rrugë nuk ka jetë. Uji merret te fshati im, te shtëpia ime në katund. Shytaj quhet përroi dhe ujërat mblidhen më poshtë”, u shpreh Bushi.

Sipas Seit Hotit, nëse uji merret për hidrocentralin, banorët do të detyrohen të shpërngulen. Ai thekson se për projektin nuk është bërë konsultim me banorët.
“[Investitori]… do ta shtrojë këtu në këshillin bashkiak, të marrë vendimin e këshillit, por ne kemi marrë informacionet dhe nuk e pranojmë. Prandaj kemi ardhur sot këtu”, tha ai.
Nadire Dedaj, një banore në moshë, u shpreh se kundërshtimi ndaj projektit vijon prej vitesh. Ajo tregoi se një situatë të ngjashme zona e kishte kaluar me protesta edhe në vitin 2019 duke ia dalë ta mbrojë ujin.
“Atje nuk mund të futen fadroma e mjete të tjera. Edhe nëse firmat jepen nga Tirana apo nga këta këtu, ata nuk hyjnë dot atje. Ta kenë të prerë atë fjalë”, theksoi ajo për Citizens.al.
Pas përfundimit të takimit me kryebashkiaken, banorët thanë se ajo u shpreh se do të mbështeste qëndrimin e tyre nëse kërkesat rezultojnë të drejta.
“Kryebashkiakja ishte në dijeni dhe tha se e priste këtë reagim,” tregoi për Citizens.al Ismet Koka pasi doli nga takimi.
“Si përfundim na dha një ‘ok’ dhe tha se do të jetë me banorët nëse është me të drejtë. Nëse nuk është, atëherë do të merren masa të tjera.”
Më herët banorët kanë dorëzuar edhe një peticion me rreth 350 nënshkrime kundër ndërtimit të HEC-it “Shytaj”.
Ata kërkojnë që çdo vendim për ndërtimin e hidrocentralit të merret vetëm pas publikimit të raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe pas zhvillimit të dëgjesave publike në fshatrat e prekura, për ndikimin në burimet ujore dhe në masivin pyjor.
Projekti për ndërtimin e hidrocentralit “Shytaj” ka nisur që në vitin 2019, por nuk arriti të miratohej në këshillin bashkiak për shkak të kundërshtimeve të banorëve.
Asokohe, banorët deklaruan se nuk ishin zhvilluar konsultime publike me komunitetin.
Në vitin 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për HEC-in “Shytaj”, me detyrimin për plotësimin e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Sipas lejes së ndërtimit, shoqëria ndërtuese është “ERIM” sh.p.k., në pronësi të familjes Shyti, me aksionerë Adhurim Shyti, Ervin Shyti dhe Arbër Shyti. /Citizens.al















