Mercedes-i prej rreth 10 milionë eurosh që “fluturon” nuk është një Maybach apo limuzinë luksoze, por një helikopter ekskluziv që mban firmën e Mercedes-Benz. Bëhet fjalë për modelin Airbus ACH145 Mercedes‑Benz Edition, i krijuar në bashkëpunim me Airbus Corporate Helicopters.
Ky projekt synon tregun e luksit dhe bashkon stilin karakteristik të makinave më prestigjioze me standardet e aviacionit privat. Kabina e brendshme është konceptuar si një “executive lounge”, me sedilje lëkure, elemente druri dhe detaje metalike elegante, duke kujtuar ambientin e makinave më të rafinuara të segmentit premium.
Në bord mund të udhëtojnë në mënyrë komode nga 4 deri në 8 pasagjerë. Dizajni i brendshëm është menduar për të shfrytëzuar maksimalisht hapësirën, në një stil që të kujton interieret e jahteve më luksoze.
Helikopteri me dy motorë arrin një shpejtësi maksimale prej rreth 254 km/h dhe ka një autonomi fluturimi deri në 4 orë. Ai ofron gjithashtu nivel më të ulët zhurme dhe kapacitet më të madh ngarkese krahasuar me modelet e mëparshme.
Edhe pse çmimi zyrtar nuk është konfirmuar ende, vlerësohet se do të nisë nga mbi 9 milionë euro dhe mund të arrijë deri në 15 milionë euro, në varësi të nivelit të personalizimit që kërkojnë klientët. /skyweb.al















